Mercedes G63 me vlerë 160 mijë euro sekuestrohet në Suharekë pas kërkesës së autoriteteve gjermane

Një operacion i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një automjeti luksoz me vlerë rreth 160 mijë euro në qytetin e Suharekës.
Automjeti, i tipit Mercedes G63 i vitit 2022, dyshohet se ishte larguar ilegalisht nga Gjermania për t’iu shmangur detyrimeve financiare të pronarit, transmeton Telegrafi.
"Sekuestrimi i automjetit është bërë me kërkesë të autoriteteve gjermane, pasi ekziston dyshimi se pronari i tij kishte detyrime të pashlyera lidhur me këtë automjet. Në vend që t’i përgjigjej kreditorit, pronari kishte larguar automjetin nga Gjermania, ndërsa i njëjti është gjetur në Kosovë, konkretisht në qytetin e Suharekës", thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje, thuhet se automjeti është sekuestruar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe për veprimet e mëtejme do të veprohet sipas udhëzimeve të institucioneve përgjegjëse të drejtësisë.
"Ky operacion paraqet një shembull të qartë të bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Kosovës dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare, veçanërisht me ato të vendeve të Bashkimit Evropian. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për drejtësi dhe siguri", thuhet në njoftim./Telegrafi/



















































