Mençuria politike: Prej perceptimit deri te miti

Jeton Kelmendi
Mençuria politike, që prej fillimeve të para të politikës si menaxhim, ka paraqitur një rendësi kruciale. Në ketë relacion, Kosova ka pasur qasje të ndryshme, varësisht nga koha dhe rrethanat politike, sikur edhe personazhet politike.
Në ketë qasje trajtohet transformimi i konceptit të mençurisë politike në kontekstin e shoqërisë kosovare, duke u fokusuar te dy koncepte kreysore: Mençuria urtake dhe mençuria populiste. Duke ndërlidhur konceptet sociologjike dhe filozofike, parimisht kjo qasje shqyrton sesi ndryshon kuptimi i mençurisë politike nga strategjia e mbijetesës dhe diplomacisë paqësore te Rugova, te paradigma e rezistencës konfrontuese dhe populizmit diskursiv te Kurti. Mençuria politike gjithnjë e më tepër po kthehet nga koncept filozofik e praktik, në mit emocional e dogmatik, i ndërtuar nga perceptimi dhe spektakli mediatik. Por, çfarë është mençuria politike si koncept?
Mençuria politike, në thelb, është një kapacitet për të vepruar në mënyrë të matur, strategjike dhe etike në shërbim të së mirës së përbashkët, duke njohur kufizimet reale të fuqisë dhe duke manovruar brenda tyre për të maksimizuar përfitimet kolektive. Ajo përfshin jo vetëm zotërimin e një vizioni afatgjatë, por edhe aftësinë për të bashkëjetuar me kundërshtarët, për të bërë kompromise pa tradhtuar parimet themelore, si dhe për të kuptuar rrjedhat e kohës dhe momentin politik.
Nga perspektiva filozofike, mençuria politike është një ndërthurje e fronës (arsyetimit praktik), sofrosinës (vetëpërmbajtjes), dhe fronezisit (mençurisë praktike) që Aristoteli e shihte si virtyt të njeriut që synon jetën e mirë në komunitet. Por, në realitetin postmodern dhe medial të shekullit XXI, mençuria politike shpesh perceptohet më shumë si aftësi për të fituar mbështetje popullore, sesa si përmbajtje e vërtetë strategjike.
Në vitet '90 të shekullit XX, kur Kosova ishte nën okupimin e dhunshëm të një shteti gjenocidal, Ibrahim Rugova e përdori mençurinë politike jo si fuqi për të vepruar drejtpërdrejt, por si fuqi për të mos vepruar në mënyrë të rrezikshme, duke zgjedhur qëndresën paqësore si strategji kombëtare për mbijetesë. Në mungesë të armëve, të shtetit, dhe të aleatëve të gatshëm për ndërhyrje, mençuria politike u shfaq si art i durimit dhe i simbolikës së pashkulshmërisë morale. Rugova ndërtoi marrëdhënie me qendrat perëndimore të fuqisë jo nga pozita e barazisë, por nga pozita e kërkuesit të mbrojtjes, duke e kuptuar thellë se në një kontekst gjeopolitik ku etnia jote është e rrezikuar nga shfarosja, nuk ka luks për radikalizëm të brendshëm. Në këtë mënyrë, mençuria politike e tij buronte nga përulësia strategjike dhe vizioni afatgjatë, jo nga populizmi apo retorika heroike.
Figurativisht, ai përfaqësonte figurën e “priftit laik” – i qetë, simbolik, me fjalor të moderuar, që komunikonte më shumë me praninë sesa me veprimet. Kjo lloj mençurie krijoi mitin e "Presidentit historik", ku pas vdekjes së tij figura u sublimua dhe u shndërrua në monument moral përballë amnezisë politike.
Në kohën pas pavarësisë, kur Kosova ka institucione formale dhe një shtet të njohur ndërkombëtarisht, por ende me një sovranitet të fragmentuar dhe një elitë të diskutuar, Albin Kurti u paraqit si figura që kundërshtonte urtësinë tradicionale si servilizëm, duke ndërtuar narrativën e “qëndresës së vonuar”. Në vend të aleancave tradicionale me Perëndimin, ai ka përdorur një gjuhë kritike ndaj miqve historikë, sidomos ShBA-së dhe BE-së, duke pretenduar një formë të re të mençurisë politike – atë të qëndrimit mbi të gjithë dhe mbi gjithçka. Ky pozicion është përkthyer nga përkrahësit e tij si guxim moral dhe dije, por në fakt ka prodhuar një përmbysje të paradigmës së mençurisë politike klasike, duke e lidhur mençurinë jo me maturinë dhe partneritetin, por me polarizimin dhe tensionin si mjet për mobilizim popullor. E, nëse kjo merret mençuri, ai mund të konstatohet se është i mençur politikisht, sepse ka fituar më së thelli, por jo dhe jo kjo nuk mund të jetë mençuri politike.
Në këtë kuptim, mençuria politike ka kaluar nga filozofia e mbrojtjes së popullit me aleanca, në strategjinë e afirmimit të vetes me konfrontim, ku retorika populiste, përbuzja e “të mëdhenjve” dhe paraqitja si martir i vullnetit të popullit, krijojnë perceptimin e mençurisë si rebelizëm.
Në shoqëri të ndikuara nga emocionaliteti kolektiv, perceptimi ka më shumë rëndësi se realiteti. Në Kosovë, për shkak të një historie të rënduar dhe një ndjenje të thellë të padrejtësisë, figura e politikanit të mençur shpesh identifikohet me atë që “na hakmerret” për të kaluarën. Kështu, ai që konfronton ndërkombëtarët për ndonjë marrëveshje të dhimbshme, perceptohet si i mençur, sepse ndjekja e emocionit kolektiv shihet si “qëndrim burrëror”. Shih këtu arsyetimin e masave ndëshkuese me “shpëtimin” e Veriut të vendit. Ky perceptim krijohet përmes një ambalazhimi të fuqishëm diskursiv, ku populizmi përkufizohet si “e folura e drejtë”, ndërsa diplomacia dhe kompromisi si “pazare të pista”. Përmes rrjeteve sociale, spektaklit mediatik dhe algoritmeve që favorizojnë përplasje, këto figura kthehen në mite të së tashmes, ku vlerësimi nuk vjen nga rezultatet reale, por nga ndjesia e përfaqësimit emocional.
Filozofi francez Guy Debord ka thënë se ne jetojmë në “shoqërinë e spektaklit”, ku imazhi është më i rëndësishëm se realiteti. Në këtë kontekst, mençuria politike nuk vlerësohet më nga rezultatet afatgjata (siç e kërkonte Aristoteli), por nga aftësia për të prodhuar ndjesi momentale të drejtësisë. Në mënyrë tipike, kjo e bën politikanin një performues të përhershëm, jo më një strateg. Rasti i Rugovës ishte i lidhur me legjitimitetin moral, ndërsa rasti i Kurtit është i lidhur me legjitimitetin emocional-popullor. Por, kjo shndërron mençurinë nga një veprim racional për të ruajtur të ardhmen, në një simbol rebel për të hakmarrë të kaluarën. Kjo është veçanërisht e rrezikshme për shtete të brishta si Kosova, ku nevoja për aleanca është ekzistenciale, e jo luks.
Sot në Kosovë, po ndodh një shkëputje midis konceptit klasik të mençurisë politike dhe asaj që perceptohet si mençuri nga masa. Ky fenomen nuk është veçanërisht kosovar, por në një kontekst të brishtë si ky, ku ekzistenca e shtetit varet nga marrëdhëniet ndërkombëtare, një perceptim i rremë i mençurisë mund të jetë vetëvrasës. Në vend që të kuptohet si art i të mundshmes, mençuria politike po reduktohet në mitin e të pamundurës – ku heroi nuk është ai që ruan popullin përmes aleancave, por ai që përballet me të gjithë për të ruajtur një iluzion sovraniteti, kombi e krenarie. Në këtë udhëkryq, është koha për një rishikim kritik të asaj që ne quajmë mençuri politike, duke kthyer vëmendjen nga spektakli te përmbajtja, nga perceptimi te realiteti, dhe nga mitologjia te përgjegjësia.



















































