Zbulohet hoteli ku ushtrohej prostitucion në Tiranë me vajza nga Amerikan Latine, arrestohet kreu i grupit kriminal - procedohen 48 vajza

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka goditur një rrjet të trafikimit të qenieve njerëzore, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë kroate, EUROPOL dhe EUROJUST.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në kuadër të një hetimi proaktiv të nisur në muajin shkurt 2025, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Rrjeti”, me objektiv goditjen e një grupi kriminal që trafikonte femra nga vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, në Shqipëri, nëpërmjet platformave online.
Policia njofton se janë proceduar penalisht 48 shtetase të huaja, për ushtrim prostitucioni.
Në kuadër të operacionit
- -u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: A. A., 43 vjeçe, R. M., 53 vjeç, D. B., 39 vjeç, M. Sh., 28 vjeç, D. S., 37 vjeç, I. G., 35 vjeç dhe K. N., 25 vjeç.
- -u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore”, për shtetasit Z. B., 25 vjeç dhe K. C., 29 vjeç;
- -u shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit kriminal.
- Gjithashtu, është arrestuar në Kolumbi, organizatori i veprimtarisë kriminale, shtetasi L. B., 25 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi L. B., kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe në organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas ato detyroheshin të ushtronin prostitucion.
Në rast refuzimi, L. B. ushtronte presion dhe kërcënime ndaj vajzave dhe familjarëve të tyre në Kolumbi.
Ky shtetas bashkëpunonte me shtetasin D. S., për sigurimin e kushteve për akomodimin e vajzave dhe menaxhimin e rrjetit të prostitucionit.
Shtetasi I. G. kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, në Tiranë, si vend për akomodomin e vajzave dhe shfrytëzimin e tyre për prostitucion;
Shtetasit A. A. dhe K. N. shfrytëzonin për prostitucion, disa shtetase nga Kazakistani, të cilat i strehonin në këtë hotel;
Shtetasi D. B. iu jepte lëndë narkotike disa vajzave dhe siguronte klientë për prostitucion;
Shtetasi K. P. (i arrestuar më parë), mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e shtetasi L. B.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme. /Telegrafi/

















































