LAJMI I FUNDIT:

In Memoriam: Agim Gashi, kënga dhe jeta

In Memoriam: Agim Gashi, kënga dhe jeta

Sot në spitalin e Dürenit në Gjermani, pas një sëmundjeje të rëndë e të gjatë, vdiq këngëtari nga Kosova Agim Gashi, i cili në jetën kulturore do të mbahet mend për qindra këngë popullore e folklorike që i regjistroi duke filluar nga diskoteka e Radio Prishtinës, pastaj në audiokaseta, CD e videoprograme. Agim Gashi për 40 vjet ishte i pranishëm në koncerte, në festivale,në gazmende familjare, në manifestime kombëtare në Kosovë dhe në Evropë kudo ku ishin shqiptarët. Ende është në mbamendje prania e tij në aksionin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë përkrah Anton Çettës më 1990 ku me këngë ndihmoi në bashkimin e shqiptarëve rreth kauzës së pajtimit kombëtar dhe luftës për çlirimin e Kosovës. Ai pas vetes la një veprimtari të gjerë të interpretuar por edhe tekste të shkruara. Me këtë rast po e sjell edhe një skicë për portret që e bëra para pak muajsh për këngëtarin tonë që këtë fundjavë varroset në Kosovë.

Kur para pak ditësh në Qendrën Klinike Universitare në Aachen të Gjermanisë, e vizitova këngëtarin nga Kosova Agim Gashi, ai ishte në një gjumë të thellë komatik, me pajisjen e furnizimit me oksigjen në organet e frymëmarrjes. Gjithçka dukej sikur e kishte te ngrirë. Edhe këmbët, edhe duart! Edhe buzët, edhe sytë, madje edhe flokët e thinjura i kishte të ngrira! Vetëm diafragma që dëgjohej gjatë frymëmarrjes me vështirësi çonte dhe ulte gjoksin e tij për të dëshmuar se ende jeton. Ky ishte takimi i vetëm që ai nuk fliste më me mua. Duke shikuar uljet dhe ngritjet e gjoksit të tij të gjerë, kujtesa më riktheu prapa nëpër vitet e ikura, kur nga brendia e këtij gjoksi, shpërthente zëri i këngëtarit Agim Gashi, sa në sallat koncertale, sa në festa kombëtare e familjare e sa në fusha të hapura ku mblidheshin shqiptarët për raste të ndryshme.


Agim Gashi si këngëtar u shfaq në vitet shtatëdhjetë. Ai, me prejardhje nga Malësia e Zhegfocit, sublimoi pasurinë gojore të trevës së vendlindjes, Akllapit, dhe këngët që i dëgjoi atje, i përpunoi dhe i zbriti deri në studiot e Radio Prishtinës, për t’i shpërndarë pastaj gjitkah kah frymojnë shqiptarët, madje edhe përtej kufijve administrativë të Kosovës. Treva e tij, më parë, kishte dhënë edhe dy figura të ndritura të kulturës kombëtare, si dijetarin poliedrik At Shtjefën Gjëçovin, i cili mblodhi, kodifikoi dhe botoi Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe poetin e këngëtarin Rizah Strellci, i cili i dënuar për veprimtari kombëtare shqiptare nga Jugosllavia e pasluftës së Dytë Botërore, vdes në burgun e Nishit. Agim Gashi, jo rrallë, i këndoi këngët e Rizah Strellcit, pa e ditur autorin, madje edhe pa e ditur se Rizah Strellci vjen nga treva e tij.

Emri i Rizah Strellcit për shumë kohë ishte i heshtur, ndërsa vargjet e tij këndoheshin nga këngëtarët kosovarë, e më së shumti nga Rizah Bllaca.(Të shtojmë këtu se vargjet e Rizah Strellcit, në vitin e largët 1972 i bënë publike Beqir Musliu dhe Ibrahim Rugova në revistën letrare „Plejada“ që aso kohe botohej në Prishtinë). Nga respekti për Shtjefën Gjeçovin, në një anë për ta nderuar figurën e tij kombëtare dhe në anën tjetër për t’i bërë të ditur popullit se ai u vra nga shteti serb (14 tetor 1929) pse në Kishën e Zymit ku ishte meshtar hapi shkollën në gjuhën shqipe, Agim Gashi i kushtoi atij një këngë në 50-vjetorin e vrasjes, të cilën e këndoi para një publiku të gjerë në një pauzë derisa po mbahej festivali „Kosovarja këndon“ në Ferizaj. Ai këtë këngë e këndoi më një pasion të veçantë pasi edhe vetë aso kohe ishte mësues, pikërisht në vendlindjen e Gjeçovit, në Janjevë.

Por, zëri i Agim Gashit u ndërpre pas një burgu disavjeçar në vitet tetëdhjetë kur shqiptarët kërkonin Kosovën Republikë. Kur doli sheshit zëri i Kosovës për emrin e vet Republikë në vitin 1990, edhe Agimi doli sërish para publikut, kësaj radhe në Kuvendet e Pajtimit, përkrah urtakut të madh Anton Çettës. Ai nuk u ndal që atehërë e deri tash. Këndoi e bëri albume këngësh. Edhe në mërgim ku e bartën furtunat e fatit, ai këndoi këngë për luftën e lirinë, u ngriti me zërin e tij përmendore trimave të kohës së re që fjalën e bënë krismë. Këngët e tij u bënë pjesë e çdo familjeje, ani që shumica prej tyre u bënë në Gjermani dhe jehuan në Kosovë e më gjerë. Por, edhe mërgimtarët me sy të lodhur nga malli ai i kthjelli me këngë. Veprimtaria e tij prej këngëtari, preku çdo sferë të jetës shpirtërore të kombit edhe kur kishte festë e edhe kur kishte mort. Ai bëri këngë dasmash, këngë trimërie, por edhe balada që kulluan dhembje. Ende tingëllon dhembshëm një balada me vargjet e ndjeshme;

“Mora rrugën për në det
Deti po gufon!
Deti po gufon
Bjeshka po ushton
Zemra asaj vashe
Me lot po loton!
Qan me lot e po vajton
Për atë djalë të ri,
Për atë djale të ri
Që vdiq në rini
E ka lanë të shkretën….“

Kështu ai me këngë e shënoi një ngjarje tragjike, vdekjen e një të riu në valët e Adriatikut në Ulqin, që në breg me lot në sy la nusen e re. Kjo këngë u këndua gjatë në valët e Radio Prishtinës dhe këndohet ende. Ngjarja ndoshta është harruar, por kënga ka mbetur. Kënga që jeton tash e dyzet vjet. Po këngët lirike? Ato janë të rralla por shumë te fuqishme. Agim Gashi përmes zërit të vet i këndoi edhe këngët e kolegëve të tij më të vjetër e më të rinj, duke ndezur atmosferën, sidomos në rrethe miqsh e në dasmat shqiptare. Sidomos kur kishte prapa ndonjë orkestër të mirë zëri i tij shpërthente dy herë më fuqishëm se me sharkinë e tij e cila e përcolli një jetë të tërë.

Edhe kur e ka lodhur sëmundja e gjatë, ai mendjen e mban te kënga dhe te Kosova, të cilat në shpirtin e tij rrinë ngjitas si dy shtylla binjake. Agim Gashi provoi veprimin për liri kombëtare, provoi gazetarinë, provoi shkrimin letrar dhe veprimin politik e shoqëror, por që të gjitha ia mbuloi kënga. Në kapërcyellin e dy shekujve ai është dhe mbetet nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në këngën shqiptare. Zëri i tij i regjistruar në audiopaisje do të jehojë gjatë në eter. Zëri buçitës që nuk harrohet kurrë! Ashtu si ishte kënga jetë për Agim Gashin, kjo jetë e veçantë, mbetet e përjetshme me shpirtin e artistit brenda.