Amazon ka publikuar trailerin e parë të dokumentarit që do të shfaqet vitin e ardhshëm për Melania Trump.

Filmi do të ndjekë zonjën e parë gjatë 20 ditëve para inaugurimit të vitit 2025 dhe ofron “qasje të paprecedentë”, me premtime për “pamje ekskluzive që kapin takime kyçe, biseda private dhe ambiente që nuk janë parë kurrë më parë”.


“Së bashku dëshmoni historinë teksa po shkruhet” është slogani i dokumentarit.

Ky projekt shënon gjithashtu një rikthim për regjisorin e diskredituar Brett Ratner, i cili në vitin 2017 u akuzua për sjellje të papërshtatshme seksuale nga disa gra.

Regjisori u zhvendos në Izrael në vitin 2023 dhe në atë kohë e quajti veten një “sionist krenar” në Instagram. Ai njihet gjithashtu si mik i ngushtë i Benjamin Netanyahu-t.

Në trailer shfaqet edhe Donald Trump, teksa Melania e ndihmon para kamerave.


“Trashëgimia për të cilën jam më krenar do të jetë ajo e paqebërësit,” thotë ai, përpara se Melania të shtojë: “paqebërës dhe bashkues”.

“Më në fund, të gjithë duan ta dinë, ndaj ja ku është,” thotë Melania më vonë në pamjet e dokumentarit.

“20 ditët e jetës sime, që i paraprijnë inaugurimit presidencial të SHBA-së, përbëjnë një moment të rrallë dhe përcaktues – një moment që kërkon kujdes të veçantë, integritet dhe mjeshtëri të pakompromis”, ka thënë ajo për Fox News, ku traileri u publikua fillimisht në mënyrë ekskluzive.

“Jam krenare që po ndaj këtë moment shumë specifik të jetës sime – 20 ditë tranzicioni intensiv dhe planifikimi – me shikuesit e filmave dhe fansat në mbarë botën”.

Raportohet se Amazon ka shpenzuar 40 milionë dollarë për të drejtat e dokumentarit, i cili u konceptua fillimisht nga zonja e parë në nëntor të vitit 2024. Po ashtu, Amazon do të publikojë edhe një docu-serial me tre pjesë, që do të tregojë jetën e saj mes udhëtimeve ndërmjet Nju Jorkut, Uashington DC dhe Palm Beach.

Ndërkohë, Ratner pritet gjithashtu të rikthejë ekskluzivitetin filmik Rush Hour, pasi Donald Trump raportohet se ka ndërhyrë për të siguruar financimin e filmit të katërt. Filmi do të shpërndahet nga Paramount, një kompani e blerë së fundmi nga Skydance dhe e mbështetur nga Larry Ellison, mik i presidentit.