Instituti për Studime të Avancuara GAP ka publikuar raportin e katërt vjetor përmes së cilit synon të theksojë dallimet e përfaqësimit të grave në tregun e punës, në arsim dhe mirëqenie sociale. Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetët e ulët ku vetëm 21 për qind e grave në moshë pune janë aktive në tregun e punës. Raporti përfshinë statistikat e vitit 2020 dhe tregon se pandemia ka rënduar pozitën e grave në tregun e punës duke u ulur mundësitë për punësim.

Sipas raportit të Institutit GAP, në vitin 2020 shkalla e punësimit të gratë ishte vetëm 14.4 për qind, ndërsa të burrat 46.2 për qind, e shkalla e papunësisë të gratë ishte 33.1 për qind ndërsa të burrat 21.5 për qind.

Sipas drejtorit të hulumtimeve në Institutin GAP, Jeton Mehmeti kjo situatë është shqetësuese.

“Ajo që vërejmë në këtë raport i cili bazohet në të dhënat e vitit të kaluar, është që nuk kemi ndonjë lëvizje të madhe pozitive në aspektin qofte të rritjes së numrit të të punësuarve gra apo në rritjen e përfaqësimit të tyre sidomos në pozita të larta udhëheqëse. Fatkeqësisht shkalla e papunësisë në mesin e grave është mjaftë e ulët, nuk ka kaluar asnjëherë më shumë se 14 për qind, përderisa shkalla e aktivitetit joekonomik në mesin e grave është mjaftë e lartë, rreth 78 për qind. Kjo është shqetësuese dhe kjo nënkupton se gratë kanë humbur edhe shpresën për një vend pune duke qenë se nuk marrin pjesë ekonomikisht në tregun e punës”, thotë Mehmeti.

Raporti për vitin 2020 tregon se përfaqësimi i grave në pozita të larta, në shërbimin civil apo në komuna mbetët i ulët.

“Në komunat e Kosovës, në administratën komunal e vetëm një e treta e të punësuarve janë gra, përderisa në komuna më të vogla ky numër shkon edhe më ulët ku një në pesë vende të punës okupohen nga gratë. Përderisa në pozita të larta në shërbimin civil kemi vërejtur se përqindja e grave nuk kalon më shumë se 10 për qind, kjo nënkupton se kemi një përfaqësim shumë të ulët të grave në pozita udhëheqëse”, thotë ai.

Mehmeti, duke folur për diskriminim sa i përket qasjes së grave në vendin e punës thotë se problemi është edhe në konkurset që shpallen për pozitat udhëheqëse.

“Kemi vërejtur se në përgjithësi konkurset, sidomos për pozita të larta udhëheqëse janë të përgatitura asisoj që japin një mesazh se si këto pozita të larta janë për burra dhe kjo dekurajon gratë për të aplikuar për pozita të tilla, pra të nisemi nga elemente të tilla të cilat në mënyrë indirekte diskriminojnë qasjen e barabartë të burrave dhe grave në tregun e punës”, shton ai.

Numri i grave punëkërkuese të regjistruara në Agjencinë e Punësimit në vitin 2020 ishte 90 mijë e 677, kurse numri i burrave ishte 109 mijë 900 punëkërkues.

Sipas raportit, kjo rritje e theksuar gjatë vitit 2020 kryesisht është si rezultat i kritereve të Pakos Fiskale Emergjente për të përfituar nga disa nga masat, mirëpo shtohet se një pjesë mund të jetë edhe shkaku i humbjes së vendeve të punës gjatë pandemisë.

Raporti thekson se numri i vajzave që ishin duke studiuar apo që i kanë përfunduar studimet ishte ndjeshëm më i lartë se i djemve.

Statistikat e publikuara nga institute GAP flasin edhe për pozitat kyçe në qeveri gjatë vitit 2020 ku theksohet se Qeveria Kurti 1 kishte emëruar gra në 21 për qind të pozitave ndërsa Hoti në 14 për qind prej tyre.

Sipas raportit, në pozitat drejtuese, shërbimin civil dhe stafin akademik, gratë kanë mbajtur rreth një të tretën e pozitave edhe në vitin 2020. Ndërsa, në fushat tjera dhe tregun e punës në përgjithësi, përfaqësimi i grave mbetet në shkallë mjaft të ulët.

E interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.

Megjithatë, duke folur për këtë vit, Mehmeti thotë se përfaqësimi i grave në pozita udhëheqëse në nivelin politik jep një mesazh pozitiv.

“Kjo duhet të shoqërohet edhe në aspektin e përfaqësimit të barabartë gjinor edhe nëpër bordet udhëheqëse të kompanive të ndryshme publike, dhe institucionet e agjencitë e pavarura, dhe në përgjithësi duhet të shkohet drejtë një balance më të mirë gjinor dhe përfaqësimi në të gjitha institucionet. Ajo çfarë statistikat tregojnë është se numri i vajzave që janë në shkollim është më i lartë sesa i djemve, pra kemi një ndryshim të dukshëm të qasjes së vajzave dhe grave për tu shkolluar dhe për të gjetur një vend pune, dhe kjo duhet të reflektohet edhe nëpër konkurse dhe vende të punës të cilat do të shpallen nga institucionet publike”, thotë Mehmeti.

Raporti tregon se mbi 8 mijë e 737 punëkërkuese gra i kishin të përfunduara studimet bachelor, që është numër më i lartë se sa numri i burrave punëkërkues me të njëjtin profil apo 5,034.

Ndërsa, në statistikat e publikuara në raport theksohet se tek stafi akademik dhe administrativ i universiteteve publike, gjatë vitit 2020, vërehet një rritje e pjesëmarrjes së grave në shumicën prej tyre. /KP/