LAJMI I FUNDIT:

Mehmeti: Sistemi bankar stabil, 70% e kredive janë të bizneseve (Video)

Mehmeti: Sistemi bankar stabil, 70% e kredive janë të bizneseve (Video)

Ushtruesi i Detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka thënë se sistemi bankar në vend është i sigurt dhe stabil.

Sipas tij, rritja e depozitave në mbi 3 miliardë dhe kredive tregon për stabilitetin e këtij sistemi. “Fakt që kemi një sistem financiar stabil tregon edhe rritja e aseteve të bankave në 9.2 për qind. Këto asete kanë arritur në 3.7 miliardë euro për sektorin bankar. Depozitat dhe kredit janë asetet kryesore të bankave. Ku kreditë janë rritur me 10.1 për qind, apo 2.4 miliardë euro, kurse depozitat janë rritur më 7.6 për qind, apo 3.1 miliard euro”, tha Mehmeti.


Ai tha se po ashtu është rritur edhe fitimi i 10 bankave të cilat funksionojnë në Kosovë. “Nëse e shohim fitimin e bankave kemi rritje të fitimit në vitin 2012, ky fitim ishte 12.6 milionë, kurse në fund të viti 2016, fitimi ka qenë 75 milionë euro. Po ashtu ka pasur menaxhim më të mirë të shpenzimeve, përmirësim të kredive joperformuese”, thotë u.d i Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti.

Ai ka treguar se 70 për qind të kredive janë të bizneseve, kurse 30 për qind janë të ekonomive familjare.

Sipas Mehmetit, norma e kamatave për kredi kanë shënuar rënie. “Tri vite më herët norma e interesit ka qenë dyshifrore, sot norma efektive interesit është 6.8 për qind. Në uljen e kamatave për kredi ka kontribuuar, rritja e numrit të kredive, funksionimi i përmbaruesve privat si dhe faktor të tjerë”, tha Mehmeti.

Udhëheqësi i BQK-së ka premtuar një mbikëqyrje më të madhe të bankave, sa i përket tarifave për shërbime.

Mehemti ka folur edhe për rritjen ekonomike, për remitencat si dhe për investimet e huaja për të cilat ka thënë se kanë shënuar rritje.
“Rritja ekonomike sipas parashikimeve të BQK-së të shkojë në 4.5 për qind. Kemi një rritje të eksporteve, janë rritur investimet e huaja direkte, kurse remitencat janë 358 milionë euro me një rritje në 11.8 për qind, gjatë vitit kalon te 700 milionëshi”, tregon Mehmeti. /Telegrafi/