Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se në veturat që u sulmuan mëngjesin e sotëm, ka pasur zyrtarë policorë shqiptarë, por edhe serbë.

Në një konferencë për media të mbajtur bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai tha se sulmi dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë.


“Dyshohet se sulmi ka ardhur nga 200-300 metra dhe dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë. Të gjitha patrollat tona policore janë të përbëra nga komunitete të ndryshme ndaj edhe në veturat që janë sulmuar ka pasur policë shqiptarë, por edhe serbë”, deklaroi Mehmeti.

278295347 2132447156921631 7810092442295894561 n 1 1

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të qetë dhe të sigurtë, pasi “në të gjitha pjesët e territorit të Republikës së Kosovës janë zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë pajisje të nevojshme për ta garantuar rendin dhe ligjin”.

Sot rreth orës 7:40 të mëngjesit, ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, që kanë qenë duke shkuar për ta realizuar ndërrimin në pikat kufitare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky sulm ka ndodhur me granatë dore dhe A 47, si akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës./Telegrafi/