Meghan Markle tërhoqi vëmendjen e medieve, duke shfaqur një pamje elegante gjatë Javës së Modës në Paris, në vizitën e saj të parë në Evropë që nga Lojërat Invictus 2023 në Dusseldorf.

Dukesha e Sussex, 44 vjeçe, u fotografua teksa dilte nga hoteli i saj për të shkuar në sfilatën e Balenciaga, e veshur me një pelerinë të bardhë të madhe mbi një këmishë dhe pantallona të bardha, të kombinuara me taka të zeza me majë të mprehtë dhe aksesorë minimalë.


Topuzi i saj elegant e kompletoi pamjen, duke i dhënë një ndjesi të sofistikuar dhe të thjeshtë njëkohësisht, shkruan DailyMail.

Vizita e Meghan në Paris shënon rikthimin e saj në skenën evropiane pas më shumë se dy vjetësh dhe paraqitjen e parë në Javën e Modës në kryeqytetin francez.

Në të kaluarën, ajo ka qenë një vizitore e rregullt në Javët e Modës në New York dhe Toronto, gjatë kohës kur punonte si aktore në serialin Suits.

Turma e grumbulluar jashtë hotelit tentoi ta shihte Dukeshën, e shoqëruar nga rojet e sigurisë, ndërsa Princi Harry nuk u pa pranë saj.

Një burim pranë çiftit Sussex tha për Daily Mail se çifti gjithmonë kujdeset që të jetë i pranishëm për fëmijët e tyre gjatë netëve.

Kjo shfaqje e Meghan vjen gjithashtu në një kohë kur princi Harry ka kritikuar “burrat me kostume gri” në Pallatin Buckingham, duke akuzuar disa zyrtarë për pengimin e përpjekjeve të tij për t’u afruar me babanë, Mbretin Charles.

Burime të brendshme thonë se Mbretit i pëlqen ideja e një marrëdhënieje më të ngushtë me Sussex-ët dhe mund t’u ofrojë atyre një shtëpi në Britani, por Harry këmbëngul se do të qëndrojë kryesisht në Kaliforni.

Ndërkohë, Meghan ka dhënë një pamje të rrallë brenda rezidencës së saj 14 milionë dollarëshe në Montecito, ku jeton me Harry dhe fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet.

Në një klip të postuar në Instagram, Dukesha tregoi dhomën e saj të ndenjes të mobiluar elegantisht, me lule dhe qenin Mia duke fjetur në një kolltuk ngjyrë krem, duke ofruar një pamje intime të jetës së saj familjare larg skenës publike. /Telegrafi/