Meghan Markle dhe Princi Harry u panë në një dalje të rrallë publike me mikeshën e tyre të ngushtë, Serena Williams, ndërsa shijuan një drekë në Soho House në Manhattan, vetëm një ditë pas shpalljes së tyre si “Humanitarë të Vitit”.

Dukesha e Sussex ishte veshur me pantallona të gjera blu të errët dhe një bluzë me vija, të kombinuara me një pallto kafe dhe këpucë elegante të së njëjtës ngjyrë.


Ajo mbante flokët e mbledhura në një topuz të thjeshtë, duke i dhënë pamjes një prekje të rafinuar, shkruan DailyMail.


Ndërkohë, Princi Harry shoqëroi me qetësi bashkëshorten e tij, teksa të dy hynin në klubin privat në distriktin Meatpacking.

Serena Williams, që prej kohësh një nga miket më të afërta të Meghan-it, dukej e buzëqeshur gjatë takimit.

Miqësia e tyre daton që nga viti 2010, kur u takuan për herë të parë në një festë të Super Bowl, dhe është forcuar gjatë viteve, Serena ka qenë e ftuar si në dasmën mbretërore të çiftit, ashtu edhe në festën e foshnjës së Meghan-it për djalin e tyre, Archie.

Dalja e tyre vjen menjëherë pas galasë madhështore në Nju Jork, ku Meghan dhe Harry morën çmimin “Humanitarët e Vitit” nga projekti Healthy Minds.

Në fjalimin e saj, Dukesha foli me emocione për frikën e rritjes së fëmijëve në epokën dixhitale, ndërsa Harry theksoi nevojën për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet e rrezikshme të teknologjisë.

Kohët e fundit, Meghan është rikthyer në qendër të vëmendjes, sidomos pas paraqitjes së saj në sfilatën e Balenciaga-s gjatë Javës së Modës në Paris, një lëvizje që shumë ekspertë e interpretuan si përpjekje për të riafirmuar praninë e saj në elitën kulturore globale.

Ndërkohë, sipas raportimeve, çifti mund të jetë duke përgatitur një përpjekje për pajtim me familjen mbretërore, në një projekt të brendshëm të quajtur “Projekti i Shkrirjes”. /Telegrafi/