Më në fund e provuar: Llojet e ushqimeve që ndihmojnë kundër kapsllëkut kronik

Personat që vuajnë nga kapsllëku kronik kanë marrë listën e parë zyrtare të ushqimeve dhe suplementeve që mund të ndihmojnë në stimulimin e traktit tretës. Befasisht, ndër to janë disa ushqime të përditshme, si kivi dhe buka e thekrës
Udhëzimet e reja ushqyese, të hartuara nga ekspertët e King’s College në Londër dhe të mbështetura nga Shoqata Britanike e Dietetikës, ofrojnë këshilla të bazuara në prova për të rriturit që jetojnë me këtë gjendje, e cila prek miliona njerëz dhe mund të ndikojë seriozisht në cilësinë e jetës. Deri më tani, udhëzimet klinike janë kufizuar në këshilla të paqarta për konsumim më të madh të fibrave dhe pirje të shumtë të ujit.
Por raporti i ri, i botuar njëkohësisht në dy revista ndërkombëtare dhe i shpallur “pikë kthese” në shëndetin e sistemit tretës, tregon për herë të parë se cilat ushqime dhe suplemente vërtet funksionojnë dhe cilat jo.
Pas analizës së të dhënave nga 75 studime klinike, studiuesit sfiduan supozimet e vjetra për kapsllëkun, duke përmbysur disa ilaçe shtëpiake të njohura, ndërsa të tjerat i veçuan si me të vërtetë efektive.
U zbulua se konsumimi i dy deri në tre kivive në ditë për të paktën katër javë sjell përmirësime të matshme në shpeshtësinë e jashtëqitjeve. Buka e thekrës dhe uji me përmbajtje të lartë mineralesh, veçanërisht ai i pasur me magnez dhe sulfate, gjithashtu treguan efekt të vogël, por domethënës. Fibrat e psiliumit, disa shtame probiotike dhe suplementet me oksid magnezi rezultuan gjithashtu të dobishme, transmeton Telegrafi.

Shumë dieta nuk dhanë rezultat
Në të kundërt, u konstatua se disa qasje popullore nuk kanë prova bindëse. Dietat e përgjithshme me përmbajtje të lartë fibrash, ku pacientëve u thuhet thjesht të hanë më shumë fibra pa përcaktuar burimin, nuk kanë treguar efikasitet në studimet klinike. Po ashtu, nuk kanë rezultuar efektive as suplementet me sene, një laksativ me bazë bimore që përdoret zakonisht për kapsllëk kronik.
Autorët theksojnë se gjetjet e tyre përbëjnë “një hap premtues përpara” në ndihmën që njerëzit t’i menaxhojnë vetë simptomat përmes ushqimit, si dhe në përmirësimin e kujdesit që ofrojnë mjekët, infermierët dhe dietologët.
Dr. Eirini Dimidi, ligjëruese e shkencave të ushqyerjes në King’s College të Londrës dhe autore kryesore e udhëzimeve, tha:
“Kapsllëku kronik mund të ketë ndikim të madh në jetën e përditshme të një personi. Për herë të parë kemi dhënë udhëzime për qasjet dietike që mund të ndihmojnë realisht, si dhe për këshillat ushqimore që nuk mbështeten në prova. Mundësia për ta përmirësuar këtë gjendje përmes ndryshimeve në ushqim do t’u mundësonte njerëzve të menaxhojnë më mirë simptomat dhe, shpresojmë, të përmirësojnë cilësinë e jetës.”
Kapsllëku prek një në gjashtë të rritur dhe është arsyeja kryesore e vizitave te mjeku i përgjithshëm dhe e përdorimit të ilaçeve pa recetë. Studiuesit thonë se udhëzimet e reja do t’u lehtësojnë mjekëve ofrimin e këshillave të personalizuara bazuar në simptomat specifike si shpeshtësia, konsistenca ose vështirësia gjatë jashtëqitjes, në vend të qasjes “njësoj për të gjithë”.
Dr. Dimidi shtoi se, ndonëse disa ushqime dhe suplemente tregojnë efekt të qartë, cilësia e kërkimeve ekzistuese mbetet e kufizuar, pasi shumë studime janë të vogla dhe fokusohen në përbërës të veçantë, e jo në ushqyerjen e përgjithshme.
“Konsumimi i ushqimeve të pasura me fibra sjell shumë përfitime për shëndetin e përgjithshëm. Megjithatë, udhëzimet tona tregojnë se nuk ka prova të mjaftueshme që kjo ndihmon posaçërisht në kapsllëk. Në vend të kësaj, kërkimi ynë zbulon strategji të reja dietike që mund të ndihmojnë realisht pacientët,” tha ajo.

Oksidi i magnezit zbut jashtëqitjen
Ndër përbërësit më efektivë të identifikuar ishte oksidi i magnezit, një shtesë minerale që, në studime, rriti shpeshtësinë e jashtëqitjeve me gati katër herë në javë krahasuar me placebon, zbuti konsistencën, uli vështirësinë dhe përmirësoi cilësinë e jetës.
Kivi, i njohur tashmë si ndihmës natyral për tretjen, tregoi përfitime më të vogla, por të qarta, madje në disa matje tejkaloi suplementet tradicionale me fibra si psiliumi.
Buka e thekrës, shpesh e rekomanduar për përmbajtjen e fibrave, pakësoi kapsllëkun, por në disa raste shtoi fryrjen dhe parehatinë në zorrë, krahasuar me bukën e bardhë, duke sugjeruar se mund të mos i përshtatet të gjithëve.
Uji me përmbajtje të lartë mineralesh, i pasur natyrshëm me magnez, kalcium dhe sulfate, përmirësoi simptomat e kapsllëkut kur u konsumua në sasi prej gjysmë deri në një litër e gjysmë në ditë për një periudhë deri në gjashtë javë.
Sinbiotikët, suplementet që kombinojnë probiotikë dhe prebiotikë, nuk dhanë përfitime të matshme, po ashtu as suplementet me senë, pavarësisht reputacionit të tyre si laksativë bimorë.

Megjithatë, këshillohuni me mjekun
Studiuesit theksojnë se pacientët duhet të marrin parasysh nevojat individuale shëndetësore para se të bëjnë ndryshime në dietë. Për shembull, uji me përmbajtje të lartë mineralesh mund të ketë sasi të mëdha natriumi ose magnezi dhe nuk është i përshtatshëm për personat me probleme të zemrës ose të veshkave.
Ekspertët theksojnë se këto udhëzime përfaqësojnë një përparim të madh në kuptimin e ndikimit të ushqimit në funksionin e zorrëve. /Telegrafi/

















































