Me lot në sy, motra e Sokol Prekës fajëson shtetin: Mungoi ambulanca, na refuzuan helikopterin

Me lot në sy motra e Sokol Prekës, i cili humbi jetën pas kontaktit me energjinë elektrike fajëson shtetin shqiptar për mungesën e një ambulance në qendrën shëndetësore të Vau Dejësit dhe për faktin se shteti nuk u përgjigj kur u kërkua ndihma e helikopterit.
Familjet e dy viktimave që humbën jetën në Karmë të Vau Dejës rrugës për Koman dhe një grup qytetarësh protestuan përpara qendrës shëndetësore të këtij qyteti, raporton a2cnn.
Sokol Preka dhe David Deda ndërruan jetë, njëri në vendngjarje dhe tjetri disa minuta më vonë pasi ndihma mjekësore në kohën e duhur mungoi. Ngjarja ndodhi në orët e pasdites kur në qendrën shëndetësore të Vau Dejësit nuk ka mjek sepse janë vetëm me turn paradite.
Po ashtu ambulanca e Vau Dejësit ka afro 1 muaj e gjysmë që është jashtë funksionit për shkak të një defekti dhe derisa shkoi një ambulancë nga Shkodra ishte shumë vonë.
Protestës së banorëve dhe familjarëve të viktimave ju bashkua edhe deputeti i PD Kliti Hoti i cili akuzoi Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e shërbimit të urgjencës në Vau Dejës dhe pajisjeve të nevojshme.
David Deda, 46 vjeç elektricist me profesion dhe Sokol Preka, 40 vjeç, pronari i lokalit pas një kontakti me korrentin humbën jetën.
Sipas protestuesve ambulance vonoi me rreth një orë e gjysmë ndërsa morën përgjigje negative edhe për ndërhyrjen nga ajri me helikopter, gjë e cila sipas tyre ndikoi në humbjen e jetën të dy viktimave.





































