Pas më shumë se një vit hetimesh, Prokuroria Speciale ka bërë publike aktakuzën për rastin e sulmit terrorist në kanalin “Ibër Lepenc”.

Në qendër të provave që çuan në arrestimin e vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq, është ekspertiza e FBI-së, e cila përmes analizave forenzike të dheut të mbetur nën çizmet e të dyshuarve, ka lidhur drejtpërdrejt pjesëmarrjen e tyre në këtë aksion të planifikuar në mënyrë profesionale.


Analisti i sigurisë, Avni Islami në një prononcim për Telegrafin e cilësoi rastin e kanalit të Ibër Lepencit si një nga ngjarjet më të rënda pas agresionit të Banjskës.

Avni Islami

“U bë një vit e pak ditë që më në fund u ngrit aktakuza ndaj tre të dyshuarve për rastin terrorist ku është goditur kanali Ibër-Lepenc. Ky akt konsiderohet si më i rëndi pas Banjskës. Në kohën e hetimeve, involvimi i FBI-së ishte paralajmëruar edhe nga Ambasada Amerikane”.

Islami thekson se aktakuza tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të njërit prej të akuzuarve, i cili figuron si pjesëtar i shërbimit inteligjent ushtarak serb.

Sipas tij, mënyra e kryerjes së sulmit, tërheqja profesionale dhe përpjekja për të mos lënë gjurmë, tregojnë për një operacion të planifikuar nga struktura shtetërore të Serbisë.

“Në aktakuzë thuhet se në rast kanë marrë pjesë edhe më tepër persona. Kjo tregon qartë se rasti është i përgatitur nga pjesëtarë të shërbimit inteligjent ushtarak. Mënyra e planifikimit dhe ekzekutimit flet për një operacion të shtetit serb kundër Kosovës”.

Një element kyç në këtë proces hetimor siç tha Islami ka qenë bashkëpunimi mes Prokurorisë Speciale, njësive të Policisë së Kosovës, forenzikës dhe FBI-së amerikane.


"Prokurori Bekim Kodraliu, i cili ka udhëhequr rastin, ka koordinuar të gjitha veprimet hetimore duke siguruar standarde të larta profesionale".

Sipas Islamit, fakti që FBI-ja ka qenë e përfshirë në mbledhjen dhe analizimin e provave, e bën aktakuzën të pakontestueshme në arenën ndërkombëtare.

“Procesi ka fituar fuqi juridike dhe besueshmëri. Po të mbështeteshim vetëm në provat e mbledhura nga institucionet vendore, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mund të kishte reaguar. Sot nuk ka asnjë reagim, sepse FBI-ja ka qenë pjesë e hetimit dhe kjo e bën çdo provë të pakontestueshme", ka thënë Islami.

Analisti i sigurisë theksoi se ndërkohë që aktakuza është ngritur dhe provat janë paraqitur, faza e radhës mbetet gjykimi.

Islami thotë se, pavarësisht forcës së provave, mbetet detyrë e gjykatës që të japë vendimin final:

“Ta presim vendimin përfundimtar. Megjithatë, provat e mbledhura – sidomos ato të konfirmuara nga FBI – e bëjnë këtë rast jashtëzakonisht të fortë në aspektin juridik”, tha ndër të tjera Islami.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq në lidhje me sulmin terrorist me eksploziv në kanalin e ‘Ibër Lepencit’ më 29.11.2024.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Viçentijeviq janë personat që kanë shpërthyer kanalin e ‘Ibër Lepencit’ përmes vendosjes së një çante me eksploziv.

Në aktakuzë thuhet se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me FBI kishte arritur që të gjente prova që do të çonin në arrestimin e vëllezërve Viçentijeviq.

Sipas dosjes, në kohën kur ishin arrestuar ju kishin marrë për ekzaminim dheu i cili ndodhej në çizmet e të arrestuarve në atë kohë dhe ishte marrë si mostër dheu në oborrin e të dyshuarve gjithashtu për krahasim kishin marrë edhe dheun i cili ndodhej pranë kanalit të ‘Ibër Lepencit’.

Ngjashmëria e dheut, sipas PSRK vërteton se të akuzuarit kanë qenë prezent në vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ata kanë qenë personat që e kanë shkatërruar një pjesë të kanalit.

Por, ky konstatim vjen nga një institucion ndërkombëtar, më saktësisht, konfirmimi i FBI thotë se dheu i gjetur në këpucët e të akuzuarve është i njëjti me dheun i cili ishte marrë për ekzaminim në vendin ku kishte shpërthyer kanali Ibër Lepenc. /Telegrafi/