Mbyllet segmenti dytë i rrugës “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë


Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do të mbyllet përkohësisht për qarkullim segmenti i dytë i rrugës “Fehmi Lladrovci”, nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit, për shkak të punimeve infrastrukturore që po realizohen nga Drejtoria e Investimeve Kapitale.
Sipas njoftimit të Komunës, mbyllja e këtij segmenti do të jetë në fuqi nga 13 korriku 2026, në orën 20:00, deri më 16 korrik 2026, në orën 20:00.
Gjatë kësaj periudhe, qytetarët janë udhëzuar që të përdorin rrugët alternative për qarkullim.
"Qytetarët luten të shfrytëzojnë rrugët alternative: rruga 'Arbnor dhe Astrit Dehari' – Rruga B – dalje në rrugën 'Agim Ramadani', si dhe rruga 'Mark Dizdari', në drejtim të Fontanës – dalje në rrugën 'Agim Ramadani'", thuhet në njoftimin e Komunës.
Komuna ka bërë të ditur se lëvizja e këmbësorëve do të mbetet e mundësuar gjatë kohës së punimeve, ndërsa menaxhimi i trafikut do të bëhet përmes sinjalizimit të vendosur dhe personelit në terren.
Nga Komuna e Prishtinës kanë kërkuar mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët gjatë realizimit të punimeve në këtë segment rrugor. /Telegrafi/






































