Mbyllet përkohësisht një pjesë e Tunelit të Kurrizit për shkak të aktiviteteve kulturore në Dardani

Nesër, më 31 tetor 2025, në Tunelin e Kurrizit – Dardani, do të zhvillohen aktivitete kulturore të organizuara nga Kultura House, me performanca muzikore dhe artistike që do të sjellin një atmosferë festive për banorët e zonës.
Për shkak të nevojave teknike dhe për sigurinë e qytetarëve, gjysma e tunelit – segmenti nga rruga që shpie drejt shkollës “Xhemajl Mustafa” deri te hyrja e tunelit – do të mbyllet përkohësisht për qarkullim, duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit deri pas përfundimit të aktivitetit dhe pastrimit të hapësirës publike, raporton Telegrafi.
Pjesa tjetër e rrugës do të mbetet e hapur për lëvizje.
Aktivitetet kulturore do të nisin nga ora 20:00, duke përfshirë performanca të ndryshme muzikore dhe artistike në ambient të hapur.
Drejtoria e Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë e Kulturës, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e ngjarjes dhe sigurinë e pjesëmarrësve. /Telegrafi/


















































