Mbyllen 6 lokale nate e pesë qendra masazhi, disa të arrestuar

Institucionet e sigurisë dhe inspektimit në Kosovë kanë realizuar një operacion të gjerë pesëditor kundër trafikimit me qenie njerëzore, i koduar “Vjeshta 2025”. Aksioni u zhvillua nga 10 deri më 15 nëntor, në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës, Inspektoriatit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT-MINT), Inspektoratit të Punës dhe Administratës Tatimore të Kosovës.
Operacioni kishte për qëllim identifikimin e hershëm të viktimave të mundshme të trafikimit, kontrollimin e aktiviteteve të paligjshme dhe parandalimin e shfrytëzimit në lokale të ndryshme dhe hapësira publike në gjithë territorin e vendit.
Gjatë operacionit janë inspektuar 50 lokale me “Muzikë Live”, ku u hasën gjithsej 449 persona, prej tyre 357 femra dhe 92 meshkuj. Nga këta, 168 ishin shtetas të Kosovës dhe 281 shtetas të huaj. Për shkelje administrative, gjashtë lokale u mbyllën nga Inspektorati i IQMT-MINT.
Po ashtu, janë kontrolluar 73 qendra masazhi ku u evidentuan 201 persona (162 femra dhe 39 meshkuj), ndër ta 112 shtetase të Kosovës dhe 89 të huaja. Pesë prej këtyre qendrave u mbyllën për shkelje administrative.
Gjatë operacionit u iniciuan tetë raste për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”. Janë arrestuar tetë femra të dyshuara – katër shtetase të Kosovës dhe katër të huaja – dhe u identifikuan 19 fëmijë lëmosh kërkues.
Përveç kësaj, është iniciuar një rast për veprën “Marrje me prostitucion”, ku u arrestuan katër persona, përfshirë tre meshkuj dhe një femër, të gjithë shtetas të Kosovës.
Institucionet inspektuese kontrolluan edhe një objekt me tetë njësi banesore në Prishtinë, i cili dyshohet se përdorej për qira ditore përmes platformave si Airbnb dhe Booking, pa qenë i regjistruar si biznes. Objekti u mbyll nga IQMT-MINT, ndërsa ATK nisi procedura administrative ndaj pronarit. Në banesa u gjetën shtetas vendorë dhe të huaj, me të cilët u angazhua edhe njësia e kufirit.
Punëtoret e hasura në lokalet e muzikës dhe qendrat e masazhit u intervistuan për të përcaktuar nëse ishin viktima të trafikimit, mirëpo nuk u evidentua asnjë rast i tillë.
Operacioni “Vjeshta 2025” konsiderohet një nga aksionet më të gjera ndër-institucionale në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë, duke përfshirë një numër të madh njësish policore mbështetëse dhe inspektorësh të nivelit qendror.


















































