LAJMI I FUNDIT:

Mbroni fëmijët nga dielli

Mbroni fëmijët nga dielli

Prindërit duhet t’i kenë parasysh disa rekomandime dhe paralajmërime, me qëllim që t’i mbrojnë fëmijët dhe lëkurën e tyre gjatë ditëve të nxehta verore.

Dermatologët dhe pediatrit pohojnë se gjatë zgjedhjes së preparatit mbrojtës të lëkurës së fëmijës, duhet pasur kujdes në plotësimin e disa kushteve: faktori mbrojtës duhet të jetë i lartë, të ketë filtër UV, mikro-pigmente dhe të mos përmbajë substanca aromatike apo shtesa të ngjashme të cilat janë shkaktarë të shpeshtë të reaksioneve alergjike.

Një ditë ose disa orë para, provojeni si do të reagojë kremi në lëkurën e fëmijës suaj duke e vendosur atë vetëm në një sipërfaqe të lëkurës, me ç’rast do të mund të vëreni nëse shfaqet ndonjë reaksion alergjik ose reaksion tjetër i ngjashëm.

Gjithmonë shmangni orarin ditor, nga ora 10 deri në orën 15, kur rrezet UVB dhe UVA janë më intensive. Ndërsa në pjesën tjetër të ditës fëmijën e lyeni me krem i cili përmban faktor SPF 40 ose 50, dhe këtë përsëriteni çdo dy orë. Procedura e vendosjes së kremit duhet përsëritur dhe para hyrjes në ujë edhe pas daljes nga uji.

Duhet pasur kujdes në mbrojtjen e pjesëve të ndjeshme (fytyra, hunda, buzët). Sytë e fëmijës janë shumë të ndjeshme në diell, prandaj ato duhet të mbrohen me syza të cilat mbrojnë nga rrezet e diellit.

Gjatë qëndrimit në diell fëmija duhet konsumojë ushqime të pasura me vitamina dhe shumë lëngje, pasi që dielli shumë shpejt mund ta thajë lëkurën dhe ta dehidrojë organizmin.

Foshnjat duhet të jenë të veshura me tesha dhe të mbajnë kapelë, ndërsa nuk guxojnë të qëndrojnë jashtë në kohën kur intensiteti i rrezatimit është shumë i madh.