Mbledhja e KQZ-së nis me debate mes Listës Serbe dhe përfaqësuesve të LVV-së e LDK-së

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka nisur mbledhjen e sotme me debate në mes përfaqësuesve të Listës Serbe në njërën anë dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në anën tjetër.
Anëtarja e kësaj partie në KQZ, Gordana Llaban, u ankua për marrjen me vonesë të materialit duke kërkuar shtyrjen e takimit ose mbajtjen e takimit pa praninë e saj.
“Pesë minuta para takimit ma keni dhënë tabelën. Kjo është arsyeja pse nuk kam ardhur në takim. Nuk dua të kem konflikt me askënd”, ka thënë ajo, raporton KP.
Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti ka hedhur poshtë pretendimet e anëtares së Listës Serbe duke thënë se puna e KQZ-së është transparente.
“Qetësohu, s’ki nevojë të bëhesh nervoz... Asnjë dilemë nuk e kemi atë punë, e kemi vendosur sipas ligjit për zgjedhje...S’kini dashur të merrni pjesë”, ka thënë Hamiti.
Në debat u përfshi anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi duke thënë se e gjithë kjo është pasojë e vendimit të fundit Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme ndaj konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Kushtetuesja atje del dhe e ndal një parlament të tërë.... Kjo është pasoja që jemi duke i vuajtur. Është edhe e pandershme që gazetarëve tonë që kur flet dikush në një gjuhë tjetër kurrkush nuk ua përkthen... T’i kanë edhe gazetarët mjetet e përkthimit dhe ta dinë saktë se çka po flitet.
Edhe në mbledhjen e shkurtit që ju i referoheni, por edhe në çfarëdo takimi unë një fakt çdoherë kam me ua vë përballë. Fakti që ju jeni përfaqësuese e një subjekti që është i përfshirë në aktivitete kriminale dhe terroriste, edhe nuk mundesh me prit që me të mirëkuptua në kërkesa të asaj natyre...
Dhe çka është me e keq, ju edhe në shkurt edhe tash e shpërfaqni një lloj qëllimi të hapur që me i shkel të gjitha subjektet tjera politike të komunitetit serb...”, tha ai.
Kujtojmë, më 21 gusht, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi ishin të zëshëm kundër certifikimit të Listës Serbe, duke argumentuar se ka eksponentë që janë pjesë e strukturave paralele serbe dhe e cilësuan këtë parti si dorë e zgjatur e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në Kosovë.
PZAP ndërkohë rrëzoi vendimin e KQZ-së, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 12 tetorit. /KP/




















































