Autoritetet meksikane kanë zbuluar 343 emigrantë dhe refugjatë, përfshirë 103 të mitur të pashoqëruar, në një kontejner të braktisur kamioni mallrash në anë të një autostrade.

Instituti Kombëtar i Emigracionit (INM) tha të hënën se rimorkio u gjet në shtetin Veracruz, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Ai ishte në një rrugë të përdorur shpesh nga kontrabandistët për të sjellë njerëz nga Meksika juglindore në kufirin e Shteteve të Bashkuara.

Njerëzit ishin në gjendje të mirë shëndetësore dhe ishte e paqartë pse shoferi u largua, thanë autoritetet.

Shumica e fëmijëve ishin nga Guatemala.

Emigrantët që arrijnë në SHBA shpesh paguajnë kontrabandistët për të sjellë më pas fëmijët e tyre.

Instituti tha se të rriturit ishin kryesisht nga Guatemala, Hondurasi, El Salvador dhe Ekuador.

Fëmijët do të vihen nën kujdestarinë e sistemit të shërbimeve familjare të Veracruz ndërsa të tjerët do të trajtohen për të përcaktuar statusin e tyre ligjor në Meksikë, tha INM. /Telegrafi/