Mbeturinat vëllimore hiqen nga rruga “Sami Frashëri”, KRM “Pastrimi” paralajmëron për gjoba

Ndërmarrja Publike KRM “Pastrimi” ka njoftuar se ka realizuar largimin e mbeturinave vëllimore dhe inerte në rrugën “Sami Frashëri” në Prishtinë, në kuadër të angazhimeve për mirëmbajtjen e pastërtisë në hapësirat publike.
Përmes një njoftimi, kjo ndërmarrje u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes në menaxhimin e mbeturinave vëllimore, si mobilje apo pajisje shtëpiake, duke mos i hedhur ato pranë kontejnerëve të lagjeve.
“Të gjithë ju që nuk jeni të sigurt se ku duhet t’i hidhni mbeturinat vëllimore, ju lutemi që të kontaktoni shërbimet përkatëse për largimin e tyre në mënyrë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Sipas KRM “Pastrimi”, qytetarët mund të drejtohen për shërbim tek ndërmarrja publike “Pastrimi” apo ndërmarrja “Gjelbër”, për të siguruar trajtimin e duhur të këtyre mbeturinave.
Po ashtu, është theksuar se lënia e mbeturinave vëllimore pranë kontejnerëve është e ndaluar dhe mund të rezultojë me gjoba për shkelësit.
KRM “Pastrimi” ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, me qëllim të ruajtjes së pastërtisë dhe rendit në hapësirat publike. /Telegrafi/




















































