Mbesës së mjekut Oz i ra të fikët në Shtëpinë e Bardhë, Trumpit iu desh të ndalonte fjalimin

Dje ndodhi një incident i vogël gjatë fjalimit të presidentit amerikan, Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, kur u alivanos mbesa 11-vjeçare e Mehmet Ozit.
Vetëm disa çaste pasi dr. Ozi bëri betimin si administrator i Qendrave për Shërbime Medicare dhe Medicaid nën administratën Trump, 11-vjeçarja Philomena Bijou humbi ndjenjat.
Revista People ishte e para që publikoi videon e ngjarjes.
“Philo u alivanos! Philo u alivanos! Babi, shko”, bërtiti Daphne Oz, vajza e dr. Ozit, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të tij, çka bëri që lideri amerikan të ndërpriste fjalimin për Iranin.
Stafi i kërkoi gazetarëve të linin sallën dhe të ndalonin së fotografuari. Më pas, nëna e vajzës e nxori atë jashtë. Edhe pse momenti i alivanosjes nuk u filmua, në pamje dukej që Philomena ishte e zbehtë kur po e nxirrnin nga dhoma. Më vonë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për People se vajza kishte humbur ndjenjat.
“Një anëtar i ri i familjes humbi ndjenjat gjatë ceremonisë së betimit të dr. Ozit në Zyrën Ovale. Jemi të lumtur të njoftojmë se ajo tani është mirë”, tha zëdhënësi.
Ndryshe, ish-prezantuesi i emisionit Dr. Oz Show bëri betimin para ministrit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., përpara incidentit. /Telegrafi/




















































