Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, Instituti për Studime Humane dhe Avancim të Lartë - Hasan Tahsin, në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit, kanë organizuar sot një seminar ndërgjegjësues mbi sfidat dhe nevojat e fëmijëve me autizëm.

Në këtë seminar ishin të pranishëm drejtoresha e Drejtorisë Komunale për Arsim, Drita Kadriu, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, përfaqësues të Institutit për Studime Humane dhe Avancim të Lartë - Hasan Tahsin, mësimdhënës, drejtorë të shkollave, prindër dhe fëmijë, shkruan Telegrafi.


“Pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë dhe të diskutojnë mbi sfidat dhe përvojat e tyre në lidhje me autizmin”, thuhet në njoftim.

Ligjëruese të këtij seminari ishin dy profesioniste nga fusha e psikologjisë dhe logopedisë, Festona Avdiu dhe Erza Preteni, të cilat ndanë ekspertizën e tyre mbi qasjet dhe metodat efektive për të mbështetur fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre, ato u nderuan me mirënjohje falënderimi nga organizatorët.

Ky seminar ka theksuar rëndësinë e një qasjeje të integruar dhe mbështetëse për fëmijët me autizëm, duke inkurajuar bashkëpunimin e vazhdueshëm mes institucioneve arsimore, shëndetësore dhe komunitetit në përgjithësi. /Telegrafi/