Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni, ka pritur sot në takim përfaqësues të kompanisë Practal, me të cilët ka diskutuar rreth vizitave të qytetarëve në Parkun e Erës dhe sigurinë e tyre.

Gjatë takimit u theksua shqetësimi për lëvizjen e qytetarëve në afërsi të turbinave të vendosura në këtë park, si dhe mungesën e respektimit të distancës dhe shenjave paralajmëruese të rrezikut, shkruan Telegrafi.


“Përfaqësuesit e kompanisë kërkuan ndihmën dhe përfshirjen e komunës në përmirësimin e masave mbrojtëse për të parandaluar incidentet e mundshme”, thuhet në njoftim.

Maxhuni ka shprehur gatishmërinë e tij për të mbështetur këtë çështje brenda përgjegjësive që i takojnë Komunës së Mitrovicës.

Ai ka theksuar rëndësinë e ndërmarrjes së masave konkrete në terren për monitorimin e mjedisit dhe përmirësimin e masave të sigurisë në zonën përreth turbinave.

Në përfundim të takimit, u është bërë apel të gjithë qytetarëve që vizitojnë Bajgorën në fundjava që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë distancat e sigurisë dhe të shmangin ndezjen e zjarreve pranë Parkut të Erës. /Telegrafi/