Gjatë prezantimit të tij si lojtari më i ri i Real Madridit, 18-vjeçari Franco Mastantuono nuk hezitoi të përgjigjej kur u pyet për futbollistin më të mirë në botë.

Mesfushori argjentinas, i transferuar nga River Plate për 45 milionë euro, u shpreh: “Lojtari më i mirë në botë? Për mua, është Lionel Messi… Unë jam argjentinas”.


Deklarata e bërë në prezantimin e tij theksoi krenarinë kombëtare dhe admirimin e tij për Lionel Messin, pavarësisht se tani është pjesë e një klubi historikisht rival me legjendën e Barcelonës.

Mastantuono, i cili do të mbajë fanellën me numrin 30 dhe ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2031, ndau gjithashtu ambiciet e tij në arenën ndërkombëtare.

“Do të ishte një ëndërr të ftohesha nga Argjentina për Kupën e Botës 2026, por për momentin jam i fokusuar vetëm te Real Madridi. Dua të filloj stërvitjet me skuadrën”, shtoi ai.

Përkushtimi i tij ndaj klubit u reflektua edhe në rrëfimin për takimin e parë me Jude Bellingham: “E takova vetëm disa minuta më parë. Më priti shumë mirë, është një djalë i jashtëzakonshëm”.

Transferimi i Mastantuonos shihet si një investim afatgjatë nga Real Madridi, i cili ka synim të forcojë mesfushën me talente të reja dhe perspektivë të lartë ndërkombëtare. /Telegrafi/

telegrafi sport app