LAJMI I FUNDIT:

Mashtrimi me metra

Mashtrimi me metra

Qerkin Makolli banor i Prishtinës, çdoherë para se t’i blej drunjtë i kontrollon, për të mos rënë pre e mashtrimeve si qytetarët tjerë.
Ai nuk u beson se tregtaret ia sjellin aq drunjë sa ka paguar. “Tregtarët çdo herë na mashtrojnë. Unë personalisht sa herë që blej drunjë, çdo herë i kontrolloj para se t’i marr. Së pari i them që t’i masë se sa metra janë e pastaj i paguaj. Kështu nuk mashtrohem”, tregon për Gazetën Fjala, Makolli.

Mirëpo, si Makolli nuk janë gjithë qytetarët tjerë. Pavarësisht se e dinë se mashtrohen, asnjëherë nuk i kontrollojnë drunjtë, për të ditur se a kanë marrë sa kanë paguar.

”Ne gjithë jemi të mashtruar, por nuk e shikojmë kurrë se sa metra janë. Vetëm i paguajmë dhe i marrim, pasi që edhe nuk kemi shumë kohë të merremi me to. Por, po, kam dëgjuar se ka ankesa nga qytetarët se po mashtrohen nga tregtarët kur blejnë drunjë”, thotë Rrahman Sopa, tjetër qytetar në nga Prishtina.


E në anën tjetër, këto ankesa i shohin si të pa baza tregtarët të cilët thonë se blerësit e drunjëve ankohen vetëm për të mos blerë drunjë nga ta.

“Këtë e bëjnë vetëm sa për të mos blerë drunjë nga ne. Ndërkohë çmimi i drunjëve në treg sillet rreth 37-38 euro. Momentalisht çmimi për një metër drunjë është 37 deri 38 euro. Ky çmim pritet të jetë edhe gjatë muajve të ardhshëm, e ndoshta edhe gjatë sezonës së dimrit do të mbetet ky çmim’’, thotë tregtari Sali Lumbardhi, për Gazetën.

E për të tilla mashtrime kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaqaniku, fajin ua hedh mekanizmave të shtetit, të cilat sipas tij nuk kanë guximin të merren me çështje të tilla.

“Se është tejet e koklavitur dëshmon fakti se Institucionet, Asociacionet dhe Mekanizmat e Shtetit, dostat që i udhëheqin e që janë më shumë kuadro politike por jo kuadro profesionale e me kompetenca – nuk dinë ndaj nuk kanë guxim t i qasen kësaj çështjeje”, ka thënë për Gazetën, Selatin Kaçaniku.

Sipas Kaçanikut, mashtrime të tilla do të mund të ndaleshin vetëm nëse zbatohen ligjet, e sipas tij në Kosovë, ligjet zbatohen më pak se 40 për qind.

“Ndërprerja e mashtrimeve të tilla do të ishte e mundur nëse do të zbatoheshin ligjet. E ligjet, siç e dini, në Republikën e Kosovës zbatohen në masë prej më pak se 40 %.Pra, a mund ta quajmë një Shtet republikë me kaq pak zbatueshmëri të ligjeve. Edhe inspeksionet janë në të njëjtën paralele”, thekson Kaçaniku.

Përveç mashtrimeve të tilla, as dëmtimet e pyjeve nuk janë të vogla. E zonat të cilat dallohen më së shumti për të tilla shkatërrime janë Podujeva, Ferizaj, Suhareka Kaçaniku me arsyetimin se nuk arrijnë të realizojnë më shumë se 20 % të planit të tyre vjetor të shfrytëzimit.

Vetëm për shtatë muaj Inspeksioni i tregut në Ministrinë e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka sekuestruar 6 kamionë më drunjë pa dokumentacione përkatëse, shkruan Gazeta Fjala.

“Për periudhën kohore ky Inspektorat ka sekuestruar, 108.36, m3 masë drunore në qarkullim rrugorë, në tregje dhe pika te ndryshme shitje. Rasti datës, 01.07.206 ku me stafin e Njësisë komunale dhe Inspektoratit të Komunës se Prishtinës kemi organizuar një aksion të përbashkët i cili ka rezultuar me sekuestrimin e 6 kamionetave me dru pa dokumentacion valid”, thotë për Gazetën Fjala, Besim Zogaj, Drejtor i Drejtoratit Qendror të Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti në Agjencinë Pyjore.

Për të vërtetuar mashtrimet e tilla, ky inspekcion thotë se ditën e enjte ka konfiskuar një kamion me dru në fshatin Besi të Podujevës.

Zogaj thotë se në inspektoriatin e tyre nuk kanë pasur ankesa për mashtrime, derisa nuk e mohon faktin se të tilla manipulime mund të ndodhin më së shumtime drejtoritë komunale të arsimit të cilat shpallin tenderë për furnizimin me drunj.

“Drejtorit Komunale të arsimit të cilat bëjnë shpallje te tenderëve për furnizim me dru duhet ta kenë parasysh se nëse në dosjen e tenderit specifikohet sasia ne m3 të kihet parasysh raporti me metër hapësinor në mënyrë që te mos bien pre e mashtrimeve, ky raport është, 1m3= 1.41 metra hapësinor”, tregon për Gazetën, drejtori i inspekscionit në MBPZHR. /Telegrafi/