LAJMI I FUNDIT:

Mashtrime me zbritjet e çmimeve: Inspektorati gjen mospërputhje të çmimeve rafte-arkë

Mashtrime me zbritjet e çmimeve: Inspektorati gjen mospërputhje të çmimeve rafte-arkë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se Inspektorati i Tregut ka vazhduar inspektimet nëpër markete e dyqane edhe gjatë ditëve të fundjavës, ku kanë hasur në parregullsi.

Në njoftimin e MINT, qëllimi i inspektimeve në këtë periudhë vazhdon të jetë verifikimi i çmimeve të produkteve bazike për shportën e konsumatorëve.

“Gjatë inspektimeve të ditës së shtunë, Inspektorët e Tregut kanë hasur në parregullsi sa i përkët mospërputhjes së çmimeve raft –arkë, mashtrimit lidhur me zbritjet e reklamuara dhe në disa produkte ka munguar deklaracioni në gjuhën shqipe, prandaj në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

MINT falënderon gjithë konsumatorët që vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Kjo ministri i siguron konsumatorët se Inspektorati i Tregut do të jetë aktiv në interes të mbrojtjes së konsumatorëve, eliminimit të praktikave të padrejta tregtare, mbrojtjen e konkurrencës së drejtë dhe në bashkëpunim me inspektorët e tregut në komuna, do të vazhdojë inspektimet në tërë Kosovën dhe në çdo rast kur konstatohen parregullsi, do të merren masa ndëshkuese në pajtim me ligjet në fuqi. /Telegrafi/