Mashtrim kompjuterik në një "call center" në Tiranë, arrestohet njëri nga organizatorët

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Recovery”, në të cilën është zbuluar një call center në Tiranë, ku kryhej mashtrim kompjuterik.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se është arrestuar njëri nga tre organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale.
Siç bëhet e ditur Policia e Shtetit po punon për kapjen e dy të tjerëve.
“Gjithashtu, në pranga 6 punonjës në këtë subjekt, si dhe në hetim 4 të tjerë. Sekuestrohen pajisje kompjuterike dhe celularë që i shërbenin mashtrimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se në kuadër të operacionit “Recovery” dhe si rezultat i kontrolleve të kryera në vijim të operacionit ndërkombëtar “Platforma”, shërbimet e Policisë konstatuan se kati i parë i një pallati në rrugën “Janos Hunyadi”, ishte përshtatur si call center.
“Nga ndërhyrja në këtë subjekt, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga, punonjësit, shtetasit I. K., 33 vjeç, banues në Farkë, L. V., 22 vjeç, banues në Krujë, E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, D. R., 34 vjeç, banues në Tiranë dhe A. P., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u kapën në flagrancë, punonjësit, shtetasit A. P., 40 vjeçe, V. A., 38 vjeçe, K. A., 24 vjeçe dhe S. M., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për të cilët nisi procedim në gjendje të lirë.
Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan 3 organizatorët e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet këtij call centeri, shtetasit A. Sh., 36 vjeç, banues në Tiranë, A. R., 34 vjeç dhe A. G., 38 vjeç”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/





















































