Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se inspektorët sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Inspektorët Komunal do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19.

Zemaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se rekomandimet parandaluese për COVID-19 të IKSHPK përfshijnë 22 masa të veçanta, që patjetër duhet të respektohen.


Lexoni të plotë postimin e Zemajt:

“Do të veprojmë me forcën e ligjit! Inspektorët sanitar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK) dhe Inspektorët Komunal do të veprojnë me forcën e ligjit kundër atyre që nuk respektojnë masat parandaluese dhe rregullat kundër COVID-19. Rekomandimet parandaluese për COVID-19 të IKSHPK përfshijnë '22 masa të veçanta, që patjetër duhet të respektohen'. Pikërëndesë kryesore është se BARTJA E MASKAVE TË JETË OBLIGATIVE. Masa të tjera të veçanta që parashihen janë edhe: distanca fizike, dezinfektimi, ajrosja e lokaleve, higjiena, dhe masa të tjera të detajuara për punonjësit, zyrat, institucionet dhe bizneset. Inspektorët përkatës në terren çdo ditë do të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe do të merren masa përgjegjëse në rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar. Çdo shkelje e rregullave nga kushdo qoftë që do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Dhe do të merr përgjigjen ligjore”. /Telegrafi/