LAJMI I FUNDIT:

Masa për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale- Paraburgimi

Masa për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale- Paraburgimi

Paraburgimi është masë e cila shërben si mjet ndihmës për sigurimin e prezencës të personit të dyshuar ose të akuzuarit në gjykatë gjatë procedurës penale e cila mbahet kundër tij

Shkruan: Ardita Morina
Avokate

Paraburgu dallon nga burgu ngase burgu është sanksion-dënim të cilin e përcakton gjykata nëse konstatohet se ekziston faji të ndonjë personi për vepër të kryer penale.


Ndërsa personi i dyshuar që është në paraburgim nuk do të thotë se i njëjti do të akuzohet dhe të dënohet, ose lëshimi nga paraburgimi në liri nuk është konfirmim të ndonjë personi se do të lirohet nga akuza.

Paraburgimi mund të caktohet në pajtim me procedurat e Kodit Penal të Kosovës. Me rastin e arrestimit, personi që i nënshtrohet paraburgimit informohet gojarisht dhe me shkrim për të drejtat e tij. Kur është e nevojshme të ndërmerren masa për mbrojtjen e fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes së personit të arrestuar të cilit janë në kujdesin e tij, për arrestim njoftohet organi kompetent për mirëqenien sociale.

Gjykata mund të caktojë paraburgimin ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të çartë ka gjetur se:

▪ ekziston dyshimi i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;
▪ kur ai fshihet kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij;
▪ kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësoj, i fshehë, ndryshoj ose falsifikoj provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit;
▪ kur pesha e veprës penale, mënyrat ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, tregojnë rrezikun se ai mund të përsërisë veprën penale, të përfundojë veprën e tentuar penale ose të kryej veprën penale.

Paraburgimin e cakton gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Kompetente në bazë të kërkesës me shkrim të Prokurorit të Shtetit pas seancës dëgjimore.

Pasi që personi i arrestuar të jetë sjellë te gjyqtari i procedurës paraprake, ai menjëherë e informon personin e tillë për të drejtat e tij sipas Kodit të Procedurës Penale. Në procesverbal shënohet koha e saktë e arrestimit dhe koha kur është sjellë personi te gjyqtari i procedurës paraprake.

Gjyqtari i procedurës paraprake zbaton seancën dëgjimore mbi paraburgimin. Prokurori i Shtetit dhe mbrojtësi janë të pranishëm në seancën dëgjimore.

Nëse personi i arrestuar nuk angazhon avokat brenda 24 orëve nga koha e njoftimit për këtë të drejtë ose deklaron që nuk do të angazhon mbrojtës, gjykata ia cakton mbrojtësin sipas detyrës zyrtare. Në seancën dëgjimore për paraburgim prokurori i shtetit paraqet arsyet për kërkim të paraburgimit. I pandehuri dhe mbrojtësi i tij mund të përgjigjen duke prezantuar argumentet e tyre.

Gjyqtari paraburgimin e cakton me aktvendim me shkrim ku palët (mbrojtësi, prokurori i shtetit) kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit.

I Pandehuri mund të mbahet në paraburgim më së shumti një muaj nga data e arrestimit në bazë të urdhrit sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe pas kësaj kohe mund të mbahet në paraburgim vetëm me aktvendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues dhe kryetarit të trupit gjykues me të cilën urdhërohet vazhdimi i paraburgimit.

Pas ngritjes së aktakuzës, paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se 4 muaj kur procedura zbatohet për vepra penale të dënueshme më pak se 5 vjet burgim, 8 muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme më shumë se 5 vjet burgim. Në raste të jashtëzakonshme kur procedura zbatohet për vepra penale të dënueshme më së paku 5 vjet burgim dhe kur rasti është i ndërlikuar zvarritja e procedurës nuk mund të atribuohet prokurorit të shtetit, para ngritjes së aktakuzës paraburgimi mund të vazhdohet më së shumti deri në 4 muaj për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej 12 muaj.

Paraburgimi mund të vazhdohet vetëm nga gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari I trupit gjykues.

Personaliteti dhe dinjiteti i të paraburgosurit nuk guxon të fyet gjatë mbajtjes në paraburgim, çka do të thotë se duhet të trajtohet në mënyrë humane duke mbrojtur shëndetin e tij fizik dhe psikik.

/Telegrafi/