LAJMI I FUNDIT:

Martinsen: UNMIK dhe qeveritarët e Kosovë thyen “besën” me gratë e dhunuara gjatë luftës

Martinsen: UNMIK dhe qeveritarët e Kosovë thyen “besën” me gratë e dhunuara gjatë luftës

Dokumentuesi i dhunimeve në Kosovë gjatë luftës, e konsideron të mistershme mos gatishmërinë e shtetit për drejtësi. Eksperti norvegjez, Josef Martinsen deklaron se është thyer “besa”, kur u ishte premtuar drejtësi 423 grave të dhunuara seksualisht nga forcat serbe.

Të gjitha këto kishin bërë marrëveshje me UNMIK-un dhe qeverinë e atëhershme, por përveç që nuk u ndihmuan, ato e patën të vështirë të rikthehen në komunitet. Martinsen i cili ka shkruar dy libra për krimet e kryera në Kosovë, në një intervistë për KosovaPress, kritikon edhe mënyrën se si po funksionon Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Koordinatori i UNHCR-së gjatë viteve ’98-99 në intervistën për KosovaPress, flet për drejtësinë e mohuar për rreth 20 mijë gra e burra të dhunuar seksualisht gjatë luftës. Ai tregon se si nuk u zbatua marrëveshja që u firmos nga 423 gra me UNMIK-un dhe qeverinë e atëhershme.


“Në shqip ka një fjalë të quajtur “Besa”, kur jep fjalën, e mban, por kjo qeveri apo të gjitha qeveritë që nga viti ’99, fillimisht UNMIK-u, e pastaj qeveritë, nuk arritën ta përfundojnë këtë rast, dhe shumë herë pyes veten; Cila është arsyeja? A ka ndonjë agjendë të fshehur? Po, gjëra të tjera, që qeveria i di, ose UNMIK-u i di, por që ne nuk i dimë. A mund të jetë kjo arsyeja pse ata nuk e përcollën këtë rast? Pra, është shumë e çuditshme, e gjithë kjo. Kështu që në vitin 2015, kur unë dhe Liridona personalisht filluam t’i shkruajmë qeverisë, i shkruam secilit atje, kemi pasur kontakte dhe letrat i kemi botuar edhe në gazetë por kjo nuk e shqetësoi askënd. A mund ta imagjinosh? Njerëzit në Kosovë i kanë bërë kërkesë Qeverisë, publikisht me letra, por Qeveria nuk u mërzit, duket se as nuk u munduan të përgjigjen, dhe për mua ky është mister. Pse nuk u përgjigjën? Pra, vitet kaluan”, deklaron Martinsen për KosovaPress.

Drejtësi nuk pati jo vetëm për 423 gratë, por edhe për mijëra tjera. Martisen shpreh habinë se si pas gati dy dekadave, shteti mezi arriti të formojë një komision për njohjen e statusit të të mbijetuarve.

“Përveç këtyre 423 grave, ekziston një lloj rasti i përgjithshëm për gratë e dhunuara. Për ta ka një pension, sepse janë shumë prej tyre dhe është dashur të kenë pension që nga paslufta, por koha kaloi dhe asgjë nuk u bë për to. Në atë kohë, vërtet nuk e dinim se kush ishte përdhunuar, sepse ato kurrë nuk e thanë, gratë nuk folën, ishin vetëm ato 423 gra, ato e treguan rastin, dhe ato janë lënduar keq që atëherë. Të tjerët heshtën, nuk folën derisa u themelua komisioni në vitin 2018 apo diçka e tillë, 20 vjet më vonë, a mund ta imagjinoni, 20 vjet më vonë morën vesh se ndoshta duhet të themelonim një komision për këta njerëz”, shton Martinsen.

Eksperti norvegjez, i cili për tetë muaj radhazi mori pjesë edhe në heqjen e trupave të vrarë nga bunarët, thotë se nuk mund të kuptojë pse nuk u arrit drejtësia. Ai hedh dyshimet se prapa kësaj qëndron një agjendë e fshehur.

Po ashtu, tregon se së fundmi ka pasur takim edhe me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu në lidhje me rastin e 423 grave të dhunuara.

“Çfarë mund të fshihet pas kësaj? Pse nuk u përgjigjën? Por nuk e mora vesh kurrë. Pyeta shumë njerëz se cila mund të ishte arsyeja, por askush nuk mund të më jepte një përgjigje të mirë. Pse nuk e ndoqën pyetjen e bërë publikisht, në gazetë. Pra, kjo është arsyeja pse po pyes veten, a ka ndonjë agjendë të fshehur. Gjërat që ata i dinë, që ne nuk i dimë. Pra, ka kaluar shumë kohë dhe shpresoj; Ne patëm një takim me qeverinë disa ditë më parë, rastësisht. Ne u takuam me një zëvendësministër të Drejtësisë, ishte një takim i mirë dhe ai premtoi të shqyrtonte rastin dhe të informonte qeverinë e tij. Një gjë e çuditshme është këtu, ai kurrë nuk ka dëgjuar për këtë rast, a mund ta imagjinoni? Po, një politikan i rangut të lartë, ai më tha se kurrë nuk kishte dëgjuar për ato 423 gra dhe për marrëveshjen që Qeveria dhe UNMIK-u bënë në vitin 1999. Më vjen keq për të. Ai nuk e ndoqi këtë qëllim. Çfarë morën vesh atje. E tmerrshme”, shton ai për KosovaPress.

Ai po kritikon edhe mënyrën se si po funksionon Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të viktimave të dhunës seksuale.

“Siç kam dëgjuar, komisioni, kryesisht përbëhet nga katër, pesë, gjashtë apo shtatë burra. Nuk e di se sa prej tyre janë mjekë apo çfarëdo tjetër që mund të merren me probleme mendore, me probleme mjekësore. Pra, mund ta imagjinoni, shihni një grua duke folur në një dhomë, atje janë ulur pesë-gjashtë burra me ndoshta kostume të errëta dhe bëjnë pyetje të tmerrshme për atë që ka ndodhur. Asnjë grua nuk ka vendosur të tregojë për gjërat private që kanë ndodhur gjatë një përdhunimi. Gjithçka mund të ndodhë gjatë një përdhunimi; nuk mund të filloni të kërkoni detaje për këtë. Mendoj se kjo është mënyra e gabuar për ta bërë këtë. Ata duhet të krijojnë një komision me mjekë dhe njerëz që kanë njohuri për të trajtuar personat që janë ekspozuar ndaj dhunës, veçanërisht dhunës seksuale”, deklaron ai.

Josef Martinsen pret që pas më shumë se dy dekadave të ketë një përgjigje nga institucionet dhe të vendoset drejtësi për rastin e 423 grave të dhunuara nga forcat serbe. /kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori