Martin Zubimendi është zyrtarisht lojtari më i ri i Arsenalit, me mesfushorin që pranon se stili i lojës së “Topçinjve” e ka tërhequr atë drejt Emirates.

Transferimi i shumëpritur u zyrtarizua më në fund të dielën, me 26-vjeçarin që ka nënshkruar për disa vite me gjigantin londinez. Kjo ndodhi pavarësisht interesit të madh nga Real Madridi, që tentoi t’ia rrëmbejë Arsenalit mesfushorin spanjoll, por nuk arriti ta bindte të qëndronte në Spanjë.


Trajneri i ri i Realit, Xabi Alonso, një admirues i madh i Zubimendit, kishte punuar me të te skuadra B e Real Sociedadit në periudhën 2019–2022, por as kjo nuk mjaftoi për ta kthyer mesfushorin mbrapa.

arenal 1 scaled

Zubimendi, i cili kishte refuzuar Liverpoolin verën e kaluar, tha se pikërisht mënyra se si luan Arsenali nën drejtimin e Mikel Artetës e ka bindur që të bashkohet me skuadrën angleze.

“Ky është një moment i madh në karrierën time. Është lëvizja që kërkoja dhe që doja ta bëja. Sapo shkel këtu, e kupton sa i madh është ky klub dhe kjo skuadër”.

“I kam vënë syrin Arsenalit sepse stili i tyre i lojës më përshtatet mua. Ata e kanë treguar potencialin e tyre kohët e fundit dhe më e mira ende nuk ka ardhur”, deklaroi lojtari bask.

Zubimendi kishte një klauzolë lirimi në kontratën me Real Sociedadin prej 60 milionë eurosh, por Arsenali thuhet se ka paguar pak më shumë se kjo shumë, për të shmangur çdo përpjekje të Real Madridit në momentet e fundit.

Një lëvizje e guximshme nga “Topçinjtë”, veçanërisht duke pasur parasysh se vetë Zubimendi e ka përshkruar më herët Alonson si idhullin e tij. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app