LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja e armëpushimit Izrael-Gazë varet në një fije peri

Marrëveshja e armëpushimit Izrael-Gazë varet në një fije peri

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Shfaqja sfiduese e luftëtarëve të armatosur rëndë të Hamasit, gjatë dorëzimit të tri pengjeve izraelite të mbajtur në Gazë që nga sulmet terroriste të 7 tetorit 2023, ishte një kujtesë e errët se marrëveshja e armëpushimit, e negociuar javën e kaluar, varet në një fije peri dhe se mund të prishet në çdo moment.

Problemi bazë, për të ardhmen, është se as kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe as udhëheqja e rikrijuar e Hamasit nuk duan vërtet që armëpushimi të zgjasë. Netanyahu u detyrua me forcë, në mënyrë metaforike “duke u tërhequr zvarrë”, që të pranonte marrëveshjen nga Donald Trumpi dhe i dërguari i tij i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.


Për shumë muaj, Netanyahu, i cili vetë është peng i aleatëve të tij të ekstremit të djathtë në koalicion, i rezistoi të njëjtave propozime të paraqitura në maj nga presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Joe Biden. Pranimi i tij tani duket se lindi nga hezitimi për të prishur paradën e inaugurimit të Trumpit në Uashington.

Thuhet se sapo ishte tharë ngjyra, Netanyahu i siguroi ministrat e pakënaqur se armëpushimi ishte i përkohshëm dhe se ai nuk kishte asnjë synim ta respektonte plotësisht atë. Mëtohet se u premtoi ekstremistëve – Itamar Ben-Gvir i cili dha dorëheqjen në shenjë proteste, dhe Bezalel Smotrich i cili po kërcënon të bëjë të njëjtën gjë – se shumë shpejt do të rinisë luftën.

Faza e parë e armëpushimit është parashikuar të zgjasë gjashtë javë. Negociatat për fazën e dytë, e cila parashikon tërheqjen e plotë ushtarake izraelite dhe lirimin e të gjithë pengjeve të gjallë në këmbim të lirimit të më shumë të burgosurve palestinezë, duhet të fillojnë jo më vonë se 15 ditë nga tani. Është e dyshimtë nëse do të fillojnë fare.

“Netanyahu ka dy mënyra për ta fundosur marrëveshjen dhe për të gjetur një justifikim për të rinisur luftën. Një opsion është thjesht të zvarrisë negociatat për fazën e dytë … dhe të humbasë kohë. Ai e ka bërë këtë manovër disa herë me ekipin e Bidenit, i cili ishte shumë i dobët ose i painteresuar për të pranuar sabotimin e tij”, shkroi analisti i Haaretz-it, Amir Tibon. “Opsioni i dytë është të provokojë një shpërthim dhune në Bregun Perëndimor. Situata atje tashmë është e ndezur: kolonët ekstremistë dogjën shtëpi dhe makina në disa fshatra palestineze, të dielën në mbrëmje, në të njëjtën kohë kur miliona izraelitë festonin kthimin e tri pengjeve”.

Dhuna në Bregun Perëndimor, e provokuar me dashje ose jo, është vetëm një nga mundësitë për të minuar armëpushimin. Netanyahu mund të pretendojë se Hamasi nuk po e respekton marrëveshjen; ai tashmë e bëri këtë fundjavën e kaluar, duke vonuar fillimin e armëpushimit për disa orë. Përplasjet e papritura dhe të rastësishme që e thyejnë armëpushimin në Gazë dhe/ose Liban, janë mundësi të tjera për t’u marrë parasysh.

Netanyahu përballet me një zgjedhje fatale në dy javët e ardhshme. Duke braktisur armëpushimin, ai mund të qetësojë të djathtën ekstreme, të mbajë koalicionin e tij të bashkuar, të qëndrojë në pushtet dhe të shmangë hetimet mbi politikën e tij para 7 tetorit – për tolerimin e Hamasit dhe dështimin e tij për të parandaluar sulmin më të rëndë ndaj hebrenjve që nga viti 1945. Nëse lufta rifillon, ai pretendon se ka premtimin e Trumpit për furnizim të pakufizuar me armë.

Ose, ai mund të luajë për paqen, të përballet me zemërimin e ekstremit të djathtë dhe të rrezikojë rrëzimin e qeverisë së tij dhe zgjedhjet e parakohshme. Netanyahu mund të pritet të kandidojë si lideri i luftës që gjoja mposhti Hamasin, solli disa pengje në shtëpi, shkatërroi Hezbollahun në Liban dhe i dha një goditje të rëndë Iranit – dy herë.

Meqë rreth 60-70 për qind e votuesve izraelitë thuhet se favorizojnë përfundimin e luftës, është e mundur që Netanyahu, duke thyer zakonet e një jete politike, të bëjë gjënë e duhur. Një paqe e qëndrueshme do të fitonte pikë në Shtëpinë e Bardhë, duke pastruar terrenin për Trumpin që të ndjekë projektin e tij të preferuar: normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Arabinë Saudite dhe izolimin e Iranit me mjete joushtarake.

Problemi është se as Hamasi dhe as militantët aleatë të Xhihadit Islamik në Gazë, nuk duan që armëpushimi të zgjasë. Demonstrimi i forcës, të dielën, megjithëse i kufizuar, dërgoi një mesazh provokues se Hamasi ka mbijetuar, se ende kontrollon pengjet e mbetura dhe se ende nuk ka një autoritet pasues në Gazë. Në një deklaratë të hënën, grupi premtoi se Gaza “do të ringrihet” nën drejtimin e tij.

Ka shumë diskutime për një administratë të përkohshme teknokratësh të mbështetur nga Egjipti dhe Katari, ose për Autoritetin Palestinez (i cili teorikisht drejton Bregun Perëndimor) që të marrë kontrollin e Gazës. Por, për momentin, askush nuk ka fuqinë ose gatishmërinë për të marrë përsipër qeverisjen – dhe Hamasi, për shkak të mungesës së një alternative, po mbush boshllëkun e pushtetit. Netanyahu mban pjesërisht përgjegjësinë. Ai refuzoi për 15 muaj të zhvillonte ose diskutonte plane për “një ditë më pas”!

Duke pritur javët e ardhshme, siguria brenda Gazës mund të bëhet një çështje kritike, pasi dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur dhe të uritur kthehen në shtëpitë e shkatërruara dhe lagjet e rrënuara, duke u përpjekur të rikuperojnë jetën. Hamasi do të përpiqet të kontrollojë shpërndarjen e ndihmave nga OKB-ja dhe organizatat aleate, ashtu siç po kontrollon lirimin e pengjeve përmes Kryqit të Kuq. Kjo mund të shkaktojë paqëndrueshmëri të thelluar dhe konflikte të brendshme.

Ndërkohë, pritet që Hamasi të fillojë të rindërtojë kapacitetet e veta ushtarake, më i vendosur se kurrë pas humbjeve që ka pësuar, për t’i shkaktuar Izraelit një kosto të tmerrshme – pasi mbetet i përkushtuar ndaj shkatërrimit të tij. “Pamjet e luftëtarëve të Hamasit ishin një kujtesë e qartë se grupi terrorist mbetet në kontroll të Gazës”, vuri në dukje Times of Israel. Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se vetëm dy nga 24 batalionet e grupit mbeten funksionale, raportoi gazeta. Por, thuhet se Hamasi po riorganizohet nën udhëheqjen e Mohammed Sinwarit, vëllait më të ri të Yahya Sinwarit, arkitektit të sulmit të 7 tetorit të cilin Izraeli e vrau vjeshtën e kaluar. Sekretari në largim i Shtetit, Antony Blinken, tha javën e kaluar se ShBA-ja beson se Hamasi ka rekrutuar po aq luftëtarë sa ka humbur që nga fillimi i luftës.

Ashtu si në krizat e mëparshme në Lindjen e Mesme, pritej që presidenti amerikan të ndërhynte në këtë moment kritik për të siguruar që të dyja palët të mbanin premtimet dhe që armëpushimi të kthehej në paqe të përhershme. Por, Trumpi nuk është ai lloj presidenti. Ai u shqetësua se lufta do të errësonte ditën e tij të madhe. Tani vëmendja e tij zhvendoset diku tjetër. Ai nuk ofron asnjë plan, asnjë ide të re – vetëm lista dëshirash, kërcënime dhe paragjykime.

Nëse udhëheqësit e Izraelit dhe Hamasit vendosin të rifillojnë luftën në javët dhe muajt e ardhshëm, mund të mos ketë asgjë që mund t’i ndalojë – pavarësisht faktit që shumica e izraelitëve, palestinezëve dhe bota që i vëzhgon me shqetësim, paqen e dëshirojnë. /Telegrafi/