LAJMI I FUNDIT:

Marketingu dhe shembulli Cristiano Ronaldo

Marketingu dhe shembulli Cristiano Ronaldo

Shpeshherë ma bëjnë me dije se, shih, ky është ai që ka reklamuar një brend shqiptar pijesh. Dikush më thotë se yjet e sportit, gjatë intervistave, ndonjëherë e kruajnë kokën për të shfaqur brendin e orës që kanë në dorë (Jose Mourinho e bën këtë, e shumë shpesh edhe Roger Federer).

Kur e di se ka promovime të tilla, është e pamundur të mos i vëresh ato. Kjo për mua është irrituese. Por, flet për fuqinë e jashtëzakonshme që njerëzit e famshëm kanë në marketing.


Jetojmë në kohën kur ne, shikuesit, jemi mësuar me reklamat e tilla. Por, kjo nuk do të thotë se jemi pajtuar me to. Ndaj, u ndjeva mirë kur, javën që shikoi, një futbollist nuk e promovoi pijen më të famshme të gazuar në botë, gjë që ndikoi në rënien e vlerës së gjigantit “Coca-Cola”-s me hiç më pak se katër miliardë dollarë. Për mua, deri tash ky është momenti më i interesant i Euro 2020.

Sigurisht, po flas për Cristiano Ronaldon i cili të hënën, kur u ul në një konferencë për shtyp në Budapest, nga tavolina përballë menjëherë i largoi dy shishe ikonike të “Coca-Cola”-s. Kapiteni i Portugalisë më pas e mbajti lart një shishe me ujë, dhe tha: “Agua”.

Atë moment i paramendoja reagimet e shefave të marketingut, të veshur sipas kodit profesional, me “setrat e zeza”. Sigurisht se nuk janë ndier mirë kur e kanë parë reagimin e tillë të Cristianos. Kompanitë paguajnë shuma marramendëse parash për t’i pasur produktet e tyre përpara yjeve si Ronaldo, dhe një rënie prej 1.6 për qind e çmimit të aksioneve nuk paraqet shumë të mirë kthimi krahasuar me atë që “Coca-Cola” ka investuar në Euro 2020 (për adhuruesit e kësaj pije, duhet t’ju them se çmimi i aksioneve u rikuperua paksa, e tash brendi ka vlerë prej më shumë se 200 miliardë dollarësh).

Kompania shpejt reagoi duke lëshuar një komunikatë të shkurtë për shtyp ku u tha: “Të gjithë mund ta pinë atë që preferojnë”.

Vërtet? E çka tjetër do të mund të thoshin?

As Ronaldo nuk është “i pastër” nga vala e promovimit të produkteve. Mos ta cilësojmë veprimin e tij si gjest të një njeriu konservator anti-kapitalist kur dihet se vlen hiç më pak se gjysmë miliard dollarë. Por, ishte interesante të shohim pak spontanitet dhe pavarësi të mendimit në një sport të ngulfatur nga agjentët dhe “brend-ambasadorët”.

Publiku reagon mirë ndaj gjërave të tilla. Video e Ronaldos teksa i largon shishet e “Coca-Cola”-s, është shikuar me miliona herë dhe sigurisht se nuk e ka dëmtuar aspak reputacionin e 36-vjeçarit. Kushedi, ndoshta yjet tjera të sportit do të mësojnë prej tij e do të kuptojnë se është në rregull t’i bësh gjërat që ti i dëshiron; të kesh një qëndrim!? Asnjë yll nuk nxit urrejtje për këtë. P. sh., një ditë më vonë, në një konferencë për shtyp – pas ndeshjes ndaj Gjermanisë – ishte Paul Poga ai që ndoqi shembullin e Ronaldos duke e larguar nga tavolina një shishe të birrës “Heineken” , kjo për arsye personale meqë është mysliman. Është krejtësisht në rregull, pra, që të kesh qëndrim!

Shumëkush mund të thotë se “nuk ka reklamë të keqe” dhe se ajo që bëri Cristiano Ronaldo me shishet e “Coca-Cola”-s është promovim perfekt për brendin. Por, e kanë gabim. “Coca-Cola” nuk e sheh këtë si lajm të mirë kur dihet se sa shumë fëmijë e kanë parë videon e Ronaldos dhe kanë menduar, ndoshta për herë të parë, se qenka më mirë që të pinë më shumë ujë!

Vendosja e produkteve është fenomen i shprehur edhe në tregun tonë. Edhe emisionet e kampionatit evropian, ashtu sikurse seritë televizive, janë me plot vendosje të produkteve të cilat kamera i fokuson teksa prezantuesi apo mysafiri e pi pijen e sponsorizuar. Kjo nuk është reklamë, por imponim skenash të menduara keq.

Rasti i Ronaldos duhet t’i kthjellë të gjithë, për të mbështetur forma tjera marketingu, më fine, përndryshe mund të shohim edhe ndonjë brend vendor duke pësuar goditje si “Coca-Cola”. Pasojat këtu mund të jenë më të mëdha, ndërsa askush në Kosovë nuk ka sa duhet para për ta djegur veten.

Prandaj, shkojmë me ujë të thjeshtë, teksa reklamat na shfaqen në formë banerësh në portale, në rrjete sociale e forma tjera, më të duhura.