Margot Robbie tërhoqi gjithë vëmendjen në premierën e filmit të saj të ri A Big Bold Beautiful Journey, që u mbajt të hënën mbrëma në New York.

Aktorja 35-vjeçare u shfaq me një fustan elegant bardh e zi, i ngushtë në trup dhe me stil korseje, i cili i nxirrte në pah siluetën dhe dekoltenë.


Ajo kishte zgjedhur një dukje minimaliste me flokët bjonde të kapura prapa dhe vathë argjendi vezullues, shkruan DailyMail.


Në tapetin e kuq, Robbie pozoi edhe krah bashkë-yllit të saj Colin Farrell, i cili u paraqit me një kostum gri të çelët.

Shfaqja e saj në këtë film shënon rikthimin në aktrim pas një pauze më pak se njëvjeçare, kohë gjatë së cilës ajo u bë nënë për herë të parë.

Duke folur më herët për përvojën e amësisë, Margot tha: “Është diçka që nuk ke nevojë t’ia shpjegosh dikujt që ka fëmijë, sepse e kupton vetë. Dhe nëse nuk e kupton, ndoshta tingëllon e mërzitshme. Por për mua është thjesht më e mira”.

Filmi rrëfen historinë e Sarës (Robbie) dhe Davidit (Farrell), të cilët takohen në një dasmë dhe nisin një udhëtim të pazakontë përmes një dere misterioze që i çon në kujtimet e së kaluarës.

Trailer-i, i publikuar nga Sony Pictures në qershor, ka marrë reagime shumë pozitive, me disa adhurues që e kanë quajtur “filmi i vitit”.

Në kast bëjnë pjesë edhe Phoebe Waller-Bridge, Hamish Linklater, Lily Rabe, Billy Magnussen dhe Jodie Turner-Smith. A Big Bold Beautiful Journey do të shfaqet në kinema më 19 shtator. /Telegrafi/