Nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të mundur bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Manaj e akuzoi Muratin për “gënjeshtra”, duke thënë se VV kishte bllokuar procesin për muaj të tërë.


“Hekuran Murati po gënjen prapë! Tri herë ka dështuar bartja e mjeteve prej vitit 2024 në vitin 2025 për shkak të Vetëvendosjes, e cila kishte bllokuar Kuvendin Komunal”, tha Manaj.

Ai shtoi se në emër të kryetarit Përparim Rama kishte thirrur tri seanca të jashtëzakonshme – më 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025 – por të gjitha kishin dështuar për shkak të mungesës së votave nga Vetëvendosja.

“Pas zgjedhjeve dhe pas presionit publik e protestave, ata erdhën sot dhe votuan për bartjen e mjeteve prej 28 milionë euro”, theksoi ai.

Manaj tha se përkundër këtij hapi, “beteja për 35 milionë euro vazhdon”, duke i bërë thirrje ministrit në detyrë që t’i çlirojë mjetet e bllokuara.

“Zbatoje ligjin, Hekuran! Alokoje buxhetin e Kryeqytetit!”, përfundoi nënkryetari i Prishtinës.