Man United i falet golit të Lindelof, triumfon minimalisht në shtëpi ndaj Luton Town

Manchester United ka fituar minimalisht me rezultat 1-0 në “Old Trafford” ndaj ekipit të sapopromovuar në ligë Luton Town, në kuadër të javës së 12-të në Ligën Premier.
Pjesa e parë ishte mjaft interesante ku të dyja skuadrat patën raste të mira shënimi por pa arritur të gjejnë rrugën e golit.
Man United rrezikoi në disa raste me Hojlund dhe Garnacho por ata u treguan të pasaktë para portës.
Pa gola u mbyll edhe 45 minutëshi i parë i kësaj sfide.
Golin e epërsisë dhe të fitores, “Djajtë e Kuq” e gjetën në minutën e 60-të përmes suedezit Victor Lindelof, i cili u gjend ne kohën e duhur dhe në vendin e duhur për të çuar topin në rrjetë për rezultatin 1-0.
Vendasit patën mundësinë të mbyllin përfundimisht dilemën e fituesit në minutën e 70-të por Rashford humbi një mundësi të artë ballë për ballë me portierin.
Deri në fund djemtë e Ten Hag e menaxhuan mirë epërsinë e krijuar dhe morën tri pikë të arta duke u kthyer tek fitoret pas humbjes në mesjavë në Ligën e Kampionëve ndaj Kopenhagës.
Manchester United tani ka 21 pikë dhe renditet në pozitën e gjashtë në tabelën e klasifikimit, teksa ndeshjen e radhës e luan ndaj Evertonit në udhëtim./Telegrafi/






















































