Manchester City ka regjistruar një tjetër fitore në Ligën Premier, duke mposhtur Crystal Palace me rezultatin 3-0 në kuadër të javës së 16-të.

Skuadra e Pep Guardiolës dominoi lojën dhe e konkretizoi epërsinë me tre gola, duke konfirmuar formën e mirë në kampionat.


Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 41-të, kur Erling Haaland u shkëput bukur në zonë dhe me kokë realizoi saktë për epërsinë 0-1.

Man City kishte edhe raste të tjera për të shënuar në pjesën e parë, ndërsa Crystal Palace iu afrua golit me Yeremy Pino, goditja e të cilit u ndal nga traversa në minutën e 17-të.

Në pjesën e dytë, Manchester City e rriti ritmin dhe në minutën e 69-të, Phil Foden dyfishoi rezultatin me një gjuajtje të fuqishme dhe të pandalshme në këndin e poshtëm të portës.

Në minutën e 88-të, portieri Dean Henderson shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Nga pika e bardhë, në minutën e 90-të, Erling Haaland ishte i saktë, duke realizuar golin e tretë dhe të dytin personal, për ta vulosur fitoren 0-3 për Manchester Cityn.

Me këtë fitore, Manchester City vazhdon serinë pozitive dhe mbetet në garë të fortë për kreun e tabelës, pasi tani ka 34 pikë, dy më pak se Arsenali. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app