Manchester City tashmë ka identifikuar objektivin e radhës për një transferim të madh financiar, teksa po finalizon marrëveshjen për mbrojtësin e Crystal Palace, Marc Guehi, për të cilin Pep Guardiola është një admirues i madh.

City ka rënë dakord të paguajë një shumë fillestare prej 20 milionë eurosh për shërbimet e Guehit, i cili më herët ishte lidhur fort me një transferim te Liverpool, por marrëveshja dështoi në ditën e fundit të afatit kalimtar.


Besohen se bisedimet për nënshkrimin e reprezentuesit anglez janë në fazë shumë të avancuar, ndërsa trajneri i Palace, Oliver Glasner, ka konfirmuar se mbrojtësi është “në fazat përfundimtare” të transferimit dhe nuk do të aktivizohet në ndeshjen ndaj Sunderlandit të shtunën.

Me ardhjen e Guehit, shpenzimet e Manchester Cityt do të shkojnë në rreth 450 milionë euro gjatë 12 muajve të fundit.

Megjithatë, “Qytetarët” tashmë po planifikojnë transferimin e radhës madhor. Sipas një raporti të TeamTalk, klubi nga Manchesteri synon të nënshkruajë tre objektiva kyç nga Liga Premier për vitin 2026.

Antoine Semenyo, i cili iu bashkua skuadrës së Pep Guardiolës nga Bournemouth këtë muaj në një marrëveshje prej 64 milionë eurosh, thuhet se ishte pjesë e këtij plani, së bashku me Marc Guehi dhe mesfushorin e Nottingham Forest, Elliot Anderson.

Që nga transferimi i tij te Forest nga Newcastle në vitin 2024, Anderson është shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të Ligës Premier.

Në muajin gusht, ai u shpërblye me ftesën e parë në kombëtaren A të Anglisë, ndërsa deri tani ka zhvilluar gjashtë ndeshje nën drejtimin e Thomas Tuchel, i cili pritet t’i japë mundësi edhe në Kupën e Botës këtë verë.

23-vjeçari ka zgjuar interesimin e disa klubeve të mëdha së fundmi, përfshirë Manchester United, Bayern Munich dhe Chelsea.

Ai është lavdëruar publikisht edhe nga disa trajnerë me emër, përfshirë Pep Guardiola, i cili beson se Anderson është një “përshtatje ideale” për sistemin e tij taktik, pasi mund të luajë si organizator i thellë i lojës apo si mesfushor box-to-box në rolin e numrit 8./Telegrafi/

telegrafi sport app