Mallkimi i kapitenit godet sërish Suedinë para ndeshjeve me Zvicrën dhe Kosovën

Në prag të përballjeve ndaj Zvicrës dhe Kosovës më 13 tetor, Kombëtarja e Suedisë po përballet me një situatë të pazakontë – një “mallkim kapiteni” që duket se po vazhdon prej muajsh. Çdo lojtar që ka mbajtur shiritin e kapitenit për Suedinë së fundmi është lënduar ose ka pasur probleme fizike menjëherë pas ndeshjeve.
Viktima më e fundit është Isak Hien, mbrojtësi i Atalantës, i cili udhëhoqi skuadrën në shtator dhe zhvilloi një paraqitje solide në Serie A fundjavën e kaluar. Megjithatë, në stërvitjet e fundit me kombëtaren suedeze, ai mungon plotësisht.
Në të njëjtën situatë gjendet edhe Anton Saletros, një tjetër titullar i rregullt që gjithashtu nuk është parë në seancat stërvitore të javës. Ende nuk dihet nëse dyshja do të jetë në dispozicion për ndeshjen kundër Kosovës.

“Shpresojmë që të mund të luajnë, por aktualisht nuk e dimë saktësisht si do të jetë situata e tyre fizike”, deklaroi për mediat trajneri Jon Dahl Tomasson.
Problemet nuk mbarojnë këtu. Edhe kapiteni kryesor Victor Lindelof po kalon një periudhë të vështirë. Pas transferimit të tij nga Manchester United te Aston Villa, ai ka luajtur më pak se dhjetë minuta në Premier League dhe ende nuk është rikuperuar plotësisht.
Tomasson konfirmoi se edhe Lindelof nuk është në gjendje optimale: “Ai nuk mund të luajë 90 minuta të plota. Do ta vlerësojmë nga dita në ditë”.

Në Suedi tashmë po flitet me shaka, por edhe me shqetësim, për “mallkimin e kapitenit” – një seri lëndimesh që duket se po ndjekin këdo që mban shiritin e liderit të kombëtares. Dhe pikërisht përpara një ndeshjeje të rëndësishme ndaj Kosovës, kjo temë është kthyer në diskutimin kryesor në kampin suedez. /Telegrafi/










































