Mafia, masoneria dhe Vatikani: Vrasja misterioze e Roberto Calvit

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Dyzet e tre vjet më parë këtë javë, BBC raportoi për vdekjen e Roberto Calvit, një bankar italian, trupi i të cilit u gjet në rrethana të çuditshme në qendër të Londrës. Banka e tij kishte lidhje me Vatikanin, një grup masonerie dhe mafinë - dhe vrasja e tij la shumë pyetje pa përgjigje.
Roberto Calvi ishte kryetar i Banco Ambrosiano, banka private më e madhe në Itali. Ai ishte aq ngushtë i lidhur me Kishën Katolike Romake, saqë njihej me nofkën "Bankari i Zotit."
Por, në qershor të vitit 1982, 62-vjeçari Calvi u zhduk. Dhe, mëngjesin e 18 qershorit, trupi i tij u zbulua i varur nën urën Blekfrajërs në Londër.
"Calvi ishte në qendër të një rrjeti jashtëzakonisht të ndërlikuar mashtrimi dhe intrigash ndërkombëtare," raportoi Hugh Scully nga BBC. "Ajo përfshinte botën bankare italiane, botën e nëndheshme, mafinë, masonerinë dhe, më befasuesja nga të gjitha, Vatikanin." Vdekja e bankarit shkaktoi një skandal të gjerë politik dhe financiar në Itali. Ajo përfshinte zhdukjen e miliona dollarëve dhe la pas një mister që ende vazhdon.
Calvi kishte qenë i zhdukur për nëntë ditë, para se të gjendej i varur në një skelë nën urë. Por, ishin rrethanat e çuditshme të vdekjes së tij që hutuan policinë britanike. Xhepat e tij ishin mbushur me tulla dhe me rreth 10 mijë paundë në para të gatshme në disa valuta. Ai gjithashtu kishte një pasaportë të falsifikuar me emrin Gian Roberto Calvini. Megjithatë, raporti fillestar i mjekësisë ligjore, në korrik 1982, nuk gjeti prova të ndonjë akti kriminal mbi trupin e tij, ndaj u arrit në përfundimin se bankari kishte kryer vetëvrasje. Por, edhe në atë kohë ekzistonte dyshimi se diçka shumë më e errët kishte ndodhur.
"Udhëtimi i fundit i Calvit nuk ishte aspak ai i një njeriu që po mendonte të vriste veten," tha Scully. "Përkundrazi, ai kishte bërë plane tepër të hollësishme për t’u larguar fshehurazi nga Italia." Bankari kishte rruar mustaqet për të mos u njohur, kishte ndërruar itinerarin përmes disa vendeve, përpara se të arrinte në Londër me një aeroplan privat. "Ai kishte marrë me qira një apartament për një muaj në Çelsi, dhe kishte një pasaportë false dhe një biletë aeroplani," vazhdoi Scully. "Brenda pasaportës kishte një vizë të vlefshme për Brazilin, dhe bileta e aeroplanit ishte biletë vetëm për vajtje për në Rio. Pse, mund të pyesni, do të bënte dikush gjithë atë përpjekje, vetëm për të përfunduar i varur nën urën Blekfrajërs?"
Vdekja e Calvit nuk ishte e vetmja gjë e papritur në Banco Ambrosiano. Një ditë para se trupi i tij të gjendej, sekretarja e tij personale, Teresa Corrocher, gjithashtu u duk se ishte hedhur nga kati i katërt i selisë së bankës në Milano. Ajo kishte lënë pas një letër ku e dënonte shefin e saj, duke shkruar se ai duhet të "mallkohej dyfish për dëmin që i shkaktoi bankës dhe të gjithë punonjësve të saj."
Calvi dhe banka e tij vepronin në një botë të errët ku financat, krimi i organizuar, politika dhe feja përziheshin. E themeluar në vitin 1896, Banco Ambrosiano kishte një histori të gjatë me Kishën Katolike - dhe Instituti për Veprat Fetare (IOR), i njohur shpesh si banka e Vatikanit, ishte bërë aksionari kryesor i saj. IOR mban llogaritë bankare të Papës dhe klerit, por gjithashtu administron edhe investimet financiare të kishës. Për shkak se Vatikani është një shtet më vete, autoritetet rregullatore italiane nuk kanë asnjë kontroll apo mbikëqyrje mbi IOR-in.
“Vatikani është plotësisht i lirë nga kontrollet e këmbimit dhe rregulloret e tjera shtetërore; fshehtësia është gjithçka,” tha Scully. “Vatikani nuk ka detyrim t’i japë llogari askujt për veprimtarinë financiare, dhe shuma të mëdha parash mund të dërgohen kudo në botë pa e ditur askush tjetër përveç atyre që janë drejtpërdrejt të përfshirë.”
Në rolin e tij si drejtues i Banco Ambrosiano, Calvi kishte krijuar lidhje të ngushta me homologun e tij në IOR, kryetarin e saj, Imzot Paul Marcinkusin. Ky prift amerikan, nga ana tjetër, kishte lidhje financiare dhe shoqërore që ngritën dyshime. “Më i njohuri ndër ta ishte Michele Sindona, një bankar ndërkombëtar me lidhje me mafian, i cili aktualisht po vuante një dënim prej 25 vjetësh burg për mashtrim në ShBA,” tha Scully. Sindona, i njohur në qarqet bankare si “Peshkaqeni”, më vonë do të transferohej në një burg në Itali, ku do të gjente fundin e tij të dyshimtë në vitin 1986 - pasi piu kafe të helmuar me cianid.
Sindona kishte qenë mentori i Calvit që nga fundi i viteve 1960, në karrierën e tij bankare, dhe të dy ishin anëtarë të një lozhe të errët masonerie të quajtur Propaganda Due (P2). Kjo grupim ishte i lidhur me grupe ekstremiste të djathta dhe drejtohej nga milioneri italian dhe fashisti Licio Gelli. Përfshinte figura të rëndësishme të ushtrisë, politikës, biznesit dhe mediave ndër anëtarët e saj. Një gazetar italian, Kont Paolo Filo della Torre, i tha BBC-së në vitin 1982 se megjithëse teorikisht P2 ishte një lozhë masonerie, në praktikë “ishte diçka më e lidhur me mafinë dhe me çdo lloj afere të pistë.”
Në mars të vitit 1981, policia italiane bastisi zyrat e Gellit dhe zbuloi në një kasafortë një listë me qindra emra të dyshuar si anëtarë të P2-shit, përfshirë politikanë, oficerë ushtarakë dhe mediatikun e njohur - dhe kryeministrin e ardhshëm - Silvio Berlusconi. Ky zbulim shkaktoi një shpërthim politik në vend. Kryeministri i atëhershëm italian, Arnaldo Forlani, dhe i gjithë kabineti i tij dhanë dorëheqjen; një shef policie vrau veten, dhe një ish-ministër përfundoi në spital pas një mbidoze.
Gjatë bastisjeve, policia gjeti gjithashtu dokumente komprometuese që implikonin Calvin në praktika mashtruese dhe operacione të paligjshme jashtë vendit. Në maj 1981, Calvi u arrestua dhe u shpall fajtor për shkelje valutore. Ai u dënua me katër vjet burg, por u la i lirë me kusht - në pritje të apelimit. Calvi e përdori këtë rast për t’u arratisur nga vendi me një çantë plot me dokumente të dëmshme që tregonin aktivitetet e Ambrosiano-s. Brenda pak ditësh pas mbërritjes së tij në Londër, banka u shemb duke lënë pas borxhe kolosale.
“Para se të zhdukej Roberto Calvi, hetuesit italianë zbuluan se 1.5 miliardë dollarë mungonin nga banka e tij,” tha Scully. “Tani besohet se këto para janë dërguar jashtë vendit përmes bankës së Vatikanit e cila nuk i nënshtrohet kontrollit të këmbimit nga ana e Italisë. Një pjesë e atyre parave u huazuan në vende të Amerikës Latine - me interesa të ulëta, sipas udhëzimeve të Kishës Katolike. Pjesa tjetër u depozitua në kompanitë fantazmë në Luksemburg dhe në Amerikën Latine, prej nga u rikthyen në Itali për të blerë aksione për Calvin në Banco Ambrosiano. Me këtë metodë, ai arriti të përdorte fondet e bankës për të ndërtuar pasurinë e tij personale.”
Marcinkusi kërkohej gjithashtu për t'u marrë në pyetje, por iu dha imuniteti si punonjës i Vatikanit, dhe ai këmbënguli në pafajësinë e tij për çdo shkelje. Vatikani nuk e pranoi kurrë përgjegjësinë ligjore për kolapsin e Banco Ambrosiano, por në vitin 1984 deklaroi se kishte një “përgjegjësi morale” për falimentimin dhe bëri një kontribut vullnetar prej 406 milionë dollarësh për kreditorët e bankës.
Hetuesit besonin se kompanitë mashtruese që Calvi kishte krijuar, përdoreshin për të lëvizur paratë, për të mbështetur aktivitete të fshehta politike në vende të tjera si edhe për të pastruar para për klientët - si mafia. “Hetimet policore për çështjet e Calvit rrezikojnë shumë njerëz me pushtet në Itali, dhe disa mendojnë se pikërisht ky ishte motivi për vrasjen e tij,” tha Scully.
Filo della Torre, që e njihte Calvin, i tha BBC-së në vitin 1982 se besonte që bankari ishte vrarë dhe se fakti që trupi i tij ishte lënë nën urën Blekfrajërs tregonte një simbolikë masonerie. Ai shpjegoi se anëtarët e P2-shit vishnin rroba të zeza gjatë takimeve dhe i referoheshin vetes si “frati neri” - që do të thotë “murgj të zinj” në italisht. Kur Scully vërejti se kjo e bënte vdekjen e Calvit “të tingëllonte si diçka e dalë nga familja Borgia”, gazetari italian u përgjigj: “Kam frikë se po. Po kthehemi prapa në një lloj tradite italiane.”
Familja e Calvit gjithashtu nuk e pranoi kurrë vendimin për vetëvrasje, i cili u hodh poshtë në vitin 1983, kur një hetim i dytë dha një vendim të hapur për vdekjen. Por, familja e tij, përfshirë bashkëshorten Clara Calvi, vazhdoi të kërkonte që policia të hetonte, duke punësuar hetues privatë dhe ekspertë forensikë për të analizuar vdekjen e bankarit. Pas zhvarrosjes së trupit të Calvit në vitin 1998, u shtuan provat se ai nuk mund të kishte vrarë veten. Testet mjeko-ligjore treguan se dëmtimet në qafë nuk përputheshin me vetëvarje, dhe se duart e Calvit nuk kishin prekur kurrë tullat në xhepat e tij. Në tetor të vitit 2002, gjykatësit italianë konkluduan se bankari ishte vrarë.
U nis një hetim zyrtar nga policia italiane dhe në tetor 2005, pesë persona dolën në gjyq në Romë, të akuzuar për vrasjen e Calvit. Prokurori, Luca Tescaroli, argumentoi se bankari ishte vrarë sepse kishte vjedhur para të mafisë për të cilat ai ishte ngarkuar t’i pastronte, dhe se Calvi po planifikonte të shantazhonte disa figura të tjera të fuqishme, përfshirë politikanë.
Në qershor 2007, pas një procesi 20-mujor, financierit sarden Flavio Carboni, ish-e dashura e tij Manuela Kleinszig, sipërmarrësi roman Ernesto Diotallevi, ish-truproja dhe shoferi i Calvit, Silvano Vittor, si dhe arkëtari i dënuar i Cosa Nostra-s, Pippo Calò - që po vuante dy dënime të përjetshme për krime të tjera mafioze - u shpallën të pafajshëm për përfshirje në vdekjen e Calvit. Spekulimet vazhdojnë se kush e urdhëroi dhe e kreu në fund vrasjen e bankarit italian, por deri më sot asnjë person nuk është dënuar. /Telegrafi/




















































