Maamma, ylli i ri i Marokut, emri i tij do të dëgjohet shumë – fituesi i fundit i Topit të Artë në Kupën e Botës U20

Kupa e Botës nën 20 vjeç përfundoi me një surprizë të madhe, ku Maroku u shpall kampion për herë të parë në histori, pasi mposhti Argjentinën 2-0 në finalen e madhe.
Ashtu si çdo edicion, në fund të turneut u ndanë çmimet individuale, ku më i rëndësishmi – Topi i Artë i Kupës së Botës – iu dha Othmane Maammas, sulmuesit anësor 19-vjeçar që verën e kaluar kaloi nga Montpellier te Watford.
Ai ishte lojtari që udhëhoqi Marokun nga ndeshja e parë deri në finale, duke qenë lider në asistime dhe një prej më të rrezikshmëve në fushë.

Topi i Artë i Kupës së Botës U20 – Çmimi i kampionëve të ardhshëm
Ky çmim është një nga më prestigjiozët në futbollin e të rinjve, pasi shpeshherë ka paralajmëruar kampionët e ardhshëm të botës. Në vitin 1979, e fitoi Diego Armando Maradona, në atë kohë 18-vjeçar, që me Argjentinën e tij tregoi talentin që më vonë do ta bënte legjendë në vitin 1986.
Pas tij, në vitin 1987, triumfoi Robert Prosinecki me Jugosllavinë, një futbollist që më vonë do të luante për Real Madridin dhe Barcelonën.
Në vitin 1999, Seydou Keita nga Mali, që më pas do të bëhej pjesë e Barcelonës, mori çmimin për paraqitjet mbresëlënëse që e dërguan ekipin e tij në vendin e tretë.

Edicioni i 2001 solli një tjetër yll argjentinas: Javier Saviola, i cili e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit të katërt, duke fituar edhe Këpucën e Artë me 11 gola.
Në 2005 dhe 2007, dy legjenda të tjera argjentinase, Lionel Messi dhe Sergio Agüero, fituan njëri pas tjetrit si Topin e Artë ashtu edhe trofeun e Botërorit U20, duke e kthyer Argjentinën në superfuqinë e kësaj gare.

Në 2013, ishte radha e Paul Pogba-s, që me Francën u shpall kampion dhe u shpërblye si lojtari më i mirë i turneut – një paralajmërim i asaj që do të vinte pesë vjet më vonë, kur ai ngriti Kupën e Botës me ekipin A.
Fituesit që shkruan histori dhe të tjerë që u zhdukën nga skena
Historia e këtij çmimi tregon se jo të gjithë ata që ndriçojnë në U20 arrijnë sukses në futbollin e madh.
Shembulli më i njohur është Dominic Adiyiah, heroi i Ganës në vitin 2009, që pas turneut u ble nga Milani, por nuk arriti kurrë të lërë gjurmë, duke u tërhequr nga futbolli në moshën 31-vjeçare.
Ngjashëm edhe Henrique Almeida, fitues me Brazilin në vitin 2011, nuk arriti të kalojë kurrë kufijtë e vendit të tij.
Në listë janë edhe Adriano (fitues në vitin 1993 me Brazilin) dhe Adama Traore (Mali, 2015), të cilët nuk arritën të zhvillonin karrierën që premtonin në moshë të re.

Nga Solanke te Casadei – trashëgimia e brezave të rinj
Në vitin 2017, Dominic Solanke mahniti me Anglinë dhe u shpall lojtari më i mirë i turneut, ndërsa sot po gjen formën e tij më të mirë në Ligën Premier.
Në 2019, Lee Kang-In i Koresë së Jugut fitoi Topin e Artë dhe këtë vit u shpall kampion i Ligës së Kampionëve me PSG-në.
Dy vite më vonë, në 2023, Cesare Casadei e çoi Italinë në finale, duke u shpallur golashënuesi më i mirë dhe duke u përforcuar si një mesfushor i rëndësishëm në Serie A me Torinon.

Othmane Maamma – kampion i ardhshëm apo shkëndijë kalimtare?
Emri më i ri në këtë listë është Othmane Maamma, i cili i ka dhuruar Marokut një moment historik.
Ai ishte mjeshtër i asistimeve (katër në total), përfshirë atë vendimtar në finalen kundër Argjentinës, si dhe shënoi një gol të rëndësishëm në fazën e grupeve kundër Brazilit.
Nëse e ardhmja e tij do të ndjekë rrugën e Messit dhe Pogbas apo do të shuhet si Adiyiah e Almeida, këtë do ta tregojnë vitet që vijnë.

Për momentin, Maamma është simboli i një brezi të ri maroken që po sfidon botën dhe po i jep kontinentit afrikan një tjetër arsye për krenari. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com

















































