LAJMI I FUNDIT:

Lufta në Ukrainë është përgatitur shumë kohë më parë

Lufta në Ukrainë është përgatitur shumë kohë më parë

Ardian Haxhaj

Luftërat mund të fillojnë nga kinse arsye ose shkaqe banale, por ato gjithmonë kanë filluar dhe fillojnë shumë kohë para se të dalin ushtritë në logun e betejave. Për luftëra përgatiten strategji, madje gjeostrategji në të cilat përllogariten gjendjet dhe mundësitë për realizimin e fitoreve në të mirë të një grupi, ideologjie, populli etj., e, kryesisht në dëm të të tjerëve.


Ideologët frymëzues të luftërave i takojnë atij soji njeriu, në mendjet e të cilëve kombinohen rrymime ideologjike utilitare, që shkojnë edhe përtej ideologjive profane, për të kaluar herë në kategori mitologjike, herë nacional-folklorike e romantike, e madje deri në kategori futuristike, ku e kaluara duhet të ndikojë te farkëtimi i parashikuar i të ardhmes së ndritur dhe madhështore.

Është menduar, madje edhe vlerësuar, se me fundin e Luftës së Ftohtë, gjegjësisht “fundin e historisë” (Francis Fukuyama), kanë marrë fund edhe elaboratet që janë bërë deri atëherë nga individë e institute për plane të detajuara hegjemoniste të njërës palë kundër palës tjetër. Euforia vullnetmire dhe ëndërrimtare alla fukujama, edhe përkundër frymës e opinionit mbizotërues për fillimin e një epoke paqësore të përhershme nuk ndodhi në teren.

Fatkeqësisht, bota dhe interesat komplekse të popujve, ideologjive e shteteve të ndryshme më shumë i mëshojnë idesë hantingtoniane të ndeshjes së përhershme të civilizimeve. Idenë e ndeshjes së domosdoshme të civilizimeve në këtë shekull e sforcon një ultranacionalist bashkëkohor rus, që potencohet të jetë babai ideologjik i Vladimir Putinit. Në librin e botuar në gjuhën ruse “Lufta e fundit e botës ishullore: Gjeopolitikat e Rusisë Bashkëkohore” në vitin 2012, i përkthyer e botuar në anglisht në vitin 2015, Alexander Dugin i paraqet postulatet e ringjalljes së Perandorisë Ruse, që natyrisht se janë në kurriz të popujve përreth, që gjallojnë dhe mundohen të gjallojnë si shtete dhe kombe të pavarura. Dugin në këtë libër-elaborat paraqitet si ideolog ultranacionalist rus, i ngjyer me mëlmesa neofashiste, puritano-ortodokse, mistike, që për figura dhe paralele i përdorë historitë e Romës, Kartagjenës e Spartës, antipodet si kategori estetike: ideal-merkantilist, vlerë hyjnore-dekadencë, ku kuptohet, ShBA është sinonim i të gjitha të këqijave.

Një konglomerat ideologjik i tillë ka qenë edhe Adolf Hitleri. Këtë përshtypje e përmban libri i tij “Lufta ime”. Ndërkaq, për krahasim, në regjionin tonë njihen mirë elaboratet e ultranacionalistëve serbë, duke filluar me Ilija Garashanin që në librin e tij “Načertanije” (Plani) të publikuar në vitin 1844, bëhen analizat, studiohen veprimet dhe planet për një spastrim etnik e gjenocid në kurriz të të gjithë popujve fqinj, e më së shumti kundër shqiptarëve etnikë. Shkollën e Garashaninit do ta vazhdojnë ultranacionalistët e radhës: Vladan Gjorgjeviq (1844-1930), Stojan Protiq (1857-1923), Slobodan Jovanoviq (1869-1958), Vaso Çubriloviq (1897-1990), Dobrica Qosiq (1921-2014) etj. Memorandumet ultranacionaliste, shoviniste dhe gjenocide të tyre u realizuan për më shumë se një shekull e gjysmë, duke filluar nga vitet 1877 deri në vitin 1999 kundër shqiptarëve etnikë. Madje, flitet se në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë në Beograd, në vitin 1987 është hartuar edhe një memorandum sekret që i ka detajuar veprimet ushtarake gjenocide, hap pas hapi, kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve, i ngjashëm me planin nazist “Zgjidhja Finale” të shefit të Zyrës Qendrore të Sigurimit të Rajhut të Tretë, Reinhard Heydrich.

Edhe lufta e sotme në Ukrainë është përgatitur shumë kohë më parë. Së pari në kokat e ultranacionalistëve, që kanë veprimtari akademike e politike, për të cilët “zemra” e Rusisë është “Kievi Rus”, ashtu siç e kanë quajtur dhe e quajnë Kosovën si djep të Serbisë hegjemonistët serbë, të ashtuquajturit sivëllezërit e rusëve. Përmbajtja e librave të tij, analizave, intervistave dhe angazhimi i ultranacionalistit rus Alexander Dugin, është kopje e mendësisë hegjemoniste e gjenocide të Ilija Garashaninit e të ngjashmëve.

Dugin i paraqet shkaqet e rënies së Perandorisë Ruse sipas tejqyrës së një shovinisti dhe luftënxitësi, pa u marrë në konsideratë dinamikat e zhvillimeve progresiste shoqërore, historike dhe politike të shoqërive, që janë në proces të përhershëm të reformimit. Dugin e konsideron civilizimin dhe Perandorinë Ruse si një domosdoshmëri planetare, që është dhe duhet të jetë simbol i rezistencës kundër “Atlanticistëve” me në krye ShBA-në që, sipas tij, është hegjemon kundër vlerave që i përfaqëson koncepti “euro-aziatik” me qendër Rusinë. Kështu, sipas Duginit, merkantilizmi dhe lustra e dekadencës materiale perëndimore, e prirë nga ShBA-ja, e ka goditur rënd harmoninë eterike euro-aziatike (me qendër Rusinë) të konservatorizmit, holizmin (përbashkësinë si madhështi ruse), antropologjinë kolektive (populli është më shumë i rëndësishëm se individualizmi), sakrificën, orientimin idealist, vlerat e besimit, asketizmin, nderin dhe besnikërinë.

Gjendjen e tanishme të pozicionit të shtetit rus Dugin e përshkruan si një humbje, ku “civilizimi tregtar triumfoi mbi civilizimin heroik, asketik dhe spartan”, sipas të cilit është Rusia. Dugin pohon se Rusia gjithmonë ka qenë në luftë kundër, siç thotë, me “civilizimin e Detit” të prirë në ditët e sotme nga ShBA-ja. I fokusuar në gjetjen dhe ruajtjen e një madhështie ruse, Dugini nuk i merr për bazë fare faktorët ekonomikë, demografikë, kulturorë dhe ideologjikë, që janë përcaktues të zhvillimeve të tjera politike e ushtarake. Madje, ai në një rast e bën një pyetje retorike: “Çka na duhet një ekonomi e zhvilluar, nëse ne do ta humbim pavarësinë gjeopolitike?”

Tragjedinë më të madhe gjeopolitike për krejt botën e veçanërisht për Rusinë, ultranacionalisti rus Dugin e sheh përmbysjen e ish-BRSS. Shpërbërja e saj paraqet një humbje kolosale për krejt idenë euro-aziatike në krye me Rusinë. E, krejt halli paraqitet te pretendimi i ShBA-s[ për ta pamundësuar rikthimin e madhështisë ruse ku, sipas Duginit, tashmë në politikën ruse ka dalë një lider që po mundohet t’i rikthejë zonat e dikurshme të kësaj perandorie, Vladimir Putin. Paraardhësit e Putinit: Gorbaçovi dhe Jelsini ishin në duart e “atlanticistëve”, të mashtruar e të lajthitur nga “politikat” e tregtisë së lirë, demokracisë, neoliberalizmit, konceptit të të drejtave të njeriut etj. “Me Putinin, Qendra (Rusia, v. ime) e fitoi një rëndësi të re historike dhe krijimi i procesit të botës njëpolare e pësoi një goditje reale. Kjo e bëri të qartë se pavarësisht të gjitha dobësive dhe konfuzionit, Rusia-Euroazia, bërthama e një civilizimi alternativ, civilizimi i Tokës, nuk u zhduk nga harta gjeopolitike e botës, por ende qëndron, edhe pse në kushte të reduktuara”.

Aleksander Dugin e vlerëson pozicionin e përkohshëm si jo të favorshëm për Rusinë, për të cilën sugjeron se duhet të krijojë aleanca gjeopolitike me hemisferën kineze dhe atë islame për t’i dalë ballë “atlanticistëve” me në krye ShBA-në. Në kuptimin filozofik, Dugin e kupton si kataklizmë humbjen e vlerave konservatore (kupto: ruso-ortodokse) përballë vlerave perëndimore të shoqërisë së lirë. Ai e kupton se “botës ruse” më shumë i shkon për shtati “bota kineze” dhe “bota islame”, që janë të mishëruara në vlera konservatore dhe si të tilla antiperëndimore, anti-SHBA.

Aleksander Dugin librin e përfundon me një paragraf që i ngjan kapitujve me përmbajtje religjioze apokaliptike: “Rusia ose do të bëhet e madhe ose nuk do të ekzistojë. Rusia nuk do të ketë mundësi të bëhet një shtet ‘normal’ me inerci dhe pa përpjekje. Nëse nuk fillon një cikël të ri të ngjitjes, do të rrokulliset drejt rënies. E nëse kjo ndodh, atëherë do të jetë e pamundshme të thuhet se në çfarë shkalle rënieje, krize dhe katastrofe do të përfundojë. Ne nuk mund ta lejojmë zhdukjen e atdheut tonë nga harta; në fund të fundit, lufta e madhe e kontinenteve është formë e çiltër e luftës, në të cilën çmimi i disfatës është zhdukja”.

Nuk është fare rastësi që ky libër i Aleksandër Duginit dhe librave të tjerë më përmbajtje të ngjashme janë teoritë kryesore në programet e shkollave dhe akademive ushtarake dhe gjeostrategjike të Rusisë së sotme. Po ashtu, nuk është rastësi që Aleksander Dugin quhet “truri i Putinit” ose “filozofi i Putinit” prej të cilit Putini e ka mësuar edhe diskursin apokaliptik se e gjithë bota do të rrënohet po nuk u ringrit edhe një herë Perandoria Ruse.

Në trend

Më shumë
Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Digjet një fabrikë teknologjike në Berlin - ajo prodhon një armë të fuqishme të mbrojtjes ajrore, kishte furnizuar edhe Ukrainën

Evropa
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Lajme
Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bayern Munich nuk po gjen trajner të ri, deklarata e fundit e Thomas Tuchel bën ‘lëmsh’ ambientin bavarez

Bundesliga
Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani, dalin statistikat sipas komunave

Lajme
Kalo në kategori