Luani që kafshoi një burrë në kokë ndodhet në Fier, policia pritet të largojë kafshën nga banesa

Prej disa ditësh një video është bërë virale në rrjet, ku shfaqej një luan, i cili kafshoi në kokë një burrë, i cili tentoi ta përkëdhelte.
U desh ndërhyrja në moment e të zotit të luanit, i cili e goditi me shuplakë, duke bërë që kafsha të tërhiqej dhe burri të shpëtonte fatmirësisht pa lëndime serioze.
Mediat raportojnë se luani që u bë viral ndodhet në fshatin Zharrëz të Fierit, ku një familje e mban në banesë si kafshë shtëpiake.
Këtë fakt e dinin të gjithë banorët e zonës, por askush nuk kishte denoncuar tek autoritetet.
Mësohet se policia e Fierit po bashkëpunon me autoritetet për largimin e kafshës nga ambienti i banimit, por edhe ndëshkimin e përgjegjësve sipas ligjit.
Gjithsesi, deri më tani nuk ka pasur asnjë komunikatë. Mbajtja e një kafshe të egër dhe të rrezikshme si luani në ambiente shtëpie është jo vetëm e papërgjegjshme, por përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë publike. /Telegrafi/

































