Një ndër emrat më të dashur të humorit shqiptar, Luan Comedy, do të jetë pjesë e “Zurich Shqip Up Comedy Festival”, që këtë vit mbahet më 31 tetor dhe 1 nëntor në qytetin e Cyrihut.

Aktori i njohur e ka ndarë lajmin përmes një videoje plot humor në gjuhën gjermane, ku ftoi fansat e tij të mos mungojnë në këtë ngjarje që premton shumë të qeshura dhe energji pozitive.


Në mesazhin e tij, ai u shpreh: “Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Luan dhe dua t’ju tregoj se më 31 tetor dhe 1 nëntor do të jem në Cyrih, në ‘Shqip Up Comedy Festival’. Me mua do të jenë shumë artistë të tjerë të mrekullueshëm, do të ketë edhe një bend që do performojë ‘live’ - dhe sigurisht, unë vetë! Prandaj ejani ta mbushim skenën plot me humor, sepse kur skena është plot, edhe publiku është i lumtur. E po, ndonjëherë kam pak fat me vonesat, por s’ka problem - mjafton një injeksion humori dhe gjithçka shkon për mrekulli. Shihemi atje!”.

“Zurich Shqip Up Comedy Festival” pritet të mbledhë artistë të njohur të humorit shqiptar nga mbarë diaspora, për dy net plot të qeshura, muzikë dhe energji të mirë.

Luan Comedy, i njohur për stilin e tij spontan dhe batutat plot jetë, premton një performancë unike që do t’i bëjë të gjithë të pranishmit të ndihen “si në shtëpi” - edhe pse në zemër të Zvicrës. /Telegrafi/