Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) sot në Ditën Ndërkombëtare të Punës, do të mbajë protestë masive. Ata kërkojnë rritje të menjëhershme të pagave, duke theksuar se standardi jetësor i qytetarëve vazhdon të përkeqësohet. Kreu i LSM-së bëri të ditur se protesta do të mbahet më 1 Maj, me fillim nga ora 11:00.

“Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, që nga fillimi i vitit, ka organizuar disa protesta dhe disa bllokada dhe ne vazhdojmë me protestat, pra më 1 Maj dalim sërish në rrugë së bashku me punëtorët. Duke qenë se është vikend i zgjatur, këtë konferencë e mbajmë sot që të gjithë punëtorët të planifikojnë nëse pagat e tyre janë rritur mjaftueshëm për të përballuar një vikend të zgjatur për 1 Majin apo do të na bashkohen në rrugë, krah për krah, për të luftuar që pagat e tyre të rriten edhe më shumë”, tha para disa ditësh Trendafilov.


Duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, Trendafilov tha se rritja e pagave është e domosdoshme, ndaj ai bëri thirrje për të gjithë punëtorët dhe sindikatat e tjera që të bashkohen në protestë.

“Anëtarët e LSM-së, respektivisht udhëheqësit, familjet e tyre dhe njerëzit që luftojnë për rritjen e pagave të punëtorëve do të jenë në rrugë më 1 Maj, dhe për këtë arsye i ftojmë të gjithë punëtorët, madje edhe të gjitha sindikatat e vërteta, që më 1 Maj, në vend të koktejeve të shtrenjta në hotele dhe restorante luksoze, të organizojnë protestë të 1 Majit, ku do të tregojnë se pagat në Maqedoni janë të ulëta”, tha ai.