LAJMI I FUNDIT:

Loer Kume, fitues i sivjetshëm i “Çmimit Kadare”

Loer Kume, fitues i sivjetshëm i “Çmimit Kadare”

Juria e “Çmimit Kadare”, kryesuar nga Bashkim Hoxha, në përbërje të së cilës janë shkrimtarët Mehmet Kraja, Genciana Abazi, Alda Bardhyli dhe Diana Kastrati, janë mbledhur në Razmë, ku mbajtën dhe mbledhjen finale për të vendosur fituesin.

Ky është viti i pestë i krijimit të “Çmimit Kadare”. Në katër vjet, më shumë se 100 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar katër vepra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, vepra që kanë qenë fituese të këtij çmimi.

Loer Kume është fituesi i sivjetmë i çmimit. Ai është përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe të zakonshmes. Kume është 37 vjeç. Në vitin 2005 mbaroi studimet në Degën e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Fillimisht ka botuar tregime në revistat “Milosao”, “Obelisk”, “Drita”, “ARS”, “Fjala” e “Pelegrin”. Në vitin 2011, shtëpia botuese “Toena” ka botuar librin e tij të parë, “LUX”, një përmbledhje me tregime që ngjalli kureshtje dhe reaksione në rrethet e lexuesve me poezinë e fjalisë, temat e reja në letërsinë shqipe, stilin e të shkruarit dhe kontroversin për titullin si referencë ndaj okultizmit, kultit të Luciferit, pornografisë, nekrofilisë e aparatit shtypës të shtetit. Në vitin 2015 bashkëkrijon librin artistik antologjik të një grupi artistësh e poetësh të rinj të quajtur “Antologjia e poezisë dhe arteve vizuale – A Dangerous Method” e më 2017 ka botuar librin “Histori e shkurtër e rrëmujës”.

Në këtë edicion, për këtë çmim ishin zgjedhur si finalistë: Imer Topanica me veprën “Lavdi marrëzive”; Fate Velaj me veprën “Itaka”: Faslli Haliti me “Për një gjysmë dielli”; Gaverina Muzhaqi me “Velloja e Majës”; Loer Kume me “Tregime”; Mimoza Hysa me veprën “Bijat e gjeneralit”; Majlinda Rama me “Lulet e bardha të janarit”; Roland Gjoza me “Te Deum”; Saimir Muhaka me “Mart Kajani” dhe Ylljet Aliçka me “Metamorfoza e një kryeqyteti”.

Fituesit e deritanishëm kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi.