Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka udhëtuar nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nëna Tereza” drejt Izraelit, ku do të zhvilloj vizitë zyrtare triditore me agjendë intensive takimesh institucionale dhe ekonomike.

Gjatë qëndrimit të tij në Izrael, Lladrovci pritet të takojë homologë nga komunat izraelite, kryetarin e Federatës së Autoriteteve Lokale që përfaqëson 265 autoritete, si dhe përfaqësues të Qendrës së Jerusalemit për Punë të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe anëtarë të Knesset-it.


Po ashtu, në agjendë janë edhe takime me biznesmenë dhe investitorë izraelitë.

“Gjatë këtyre tri ditëve do të kem vizita në qendra të teknologjisë dhe inovacionit, në zona të inovacionit teknologjik dhe startup-eve, ku do të diskutojmë për ekosistemin e inovacionit, qytetin inteligjent, bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe sektorit privat", ka deklaruar Lladrovci.

Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës është krijimi i partneriteteve konkrete dhe nxitja e investimeve në nivel lokal.

“Do të zhvilloj takime me drejtues të sektorëve me interes të përbashkët, me sipërmarrës dhe biznesmenë, për të diskutuar projekte të përbashkëta, bashkëpunim institucional dhe mundësi investimi", u shpreh ai.

Në fund, kryetari i Drenasit ka falënderuar organizatorët dhe mikpritësit izraelitë për mbështetjen dhe vlerësimin ndaj Kosovës.

“Falënderoj hartuesit e kësaj agjende intensive dhe të gjithë mikpritësit që Kosovën e shohin si shtet me perspektivë dhe storje suksesi", ka përfunduar Lladrovci. /Telegrafi/