Ka përfunduar zyrtarisht edicioni i parë i spektaklit Big Brother VIP Kosova.
Pas 100 ditësh qëndrimi në shtëpinë më të famshme në Kosovë, fitues i këtij edicioni u shpall reperi nga Shqipëria, Arkimed Lushaj – Stresi.
Ai rezultoi më i votuari në finalen e madhe, pjesë e së cilës ishin edhe: Vedat Bajrami, Mbresa, Juliana Nura e Artan Thaqi.
I dyti në këtë garë të madhe përfundoi aktori Vedat Bajrami, pasuar nga modelja Juliana Nura në vendin e tretë.
Ndërkohë, vendi i katërt ishte rezervuar për aktorin Artan Thaqi (i njohur si djali i humoristit Rasim Thaqi – Cima) dhe finalistja e pestë si më pak e votuara e publikut, rezultoi këngëtarja Mbresa Hajrullahu.
Për 100 ditë spektakël, Big Brother VIP Kosova ka qenë një “mik” i mirë i shqiptarëve me ngjarjet dhe dinamikat e shumta të krijuara nga personazhet VIP, të cilat janë transmetuar në dy kanale.
Telegrafi i ka mbajtur lexuesit të informuar në kohë reale për ngjarjet që përshkruan finalen e madhe të Big Brother VIP Kosova.
Stresi fiton Big Brother VIP Kosova
Finalja e Big Brother VIP Kosova përfundoi me shpalljen fitues të reperit nga Shqipëria, Stresi.
Rep-artisti, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj, ka hyrë që në datën 5 dhjetor në shtëpinë më të famshme në vend, ku pas 100 ditësh arriti të shpallej fitues i këtij edicioni të BBVK.
Ai ka marrë shpërblimin e madh prej 160 mijë eurosh, ngase 40 mijë eurot e tjera iu janë ndarë finalistëve të tjerë, ku secili përkatësisht kanë marrë nga 10 mijë euro.
Vedat Bajrami e mbyll garën i dyti në finalen e BBVK
Aktori i humorit Vedat Bajrami, ka rezultuar i dyti më i votuari në finalen e madhe të Big Brother VIP Kosova.
Ai humbi kundrejt reperit nga Shqipëria – Stresi, i cili u kurorëzua me çmimin e parë në këtë spektakël.
Humoristi e ka nisur garën e Big Brother VIP Kosova në gjysmë të rrugës si banor i ri, duke u futur pak më vonë se një pjesë e mirë e banorëve të tjerë.
Përfundon rrugëtimi i Xhulit në Big Brother VIP Kosova
Banorja e tretë në renditje në natën finale ka rezultuar modelja Xhuli Nura.
Ajo ka qenë një prej banoreve më të zëshme të këtij edicioni të Big Brother VIP Kosova dhe një pretendente e madhe për çmimin e madh.
Gjatë qëndrimit në shtëpinë e BBVK, Xhuli ngriti lartë kauzat e saj në mbrojtje të të drejtave të grave.
Me përfundimin e rrugëtimit të saj këtu, Xhuli e mbyll garën si femra më e votuar e edicionit të parë të Big Brother VIP Kosova.
Mbresa dhe Artani eliminohen, vazhdojnë tutje: Xhuli: Stresi dhe Vedati
Dy banorët e parë nga pesëshja finaliste që përfunduan garën e tyre në Big Brother VIP Kosova janë Mbresa dhe Artani.
Përkatësisht Mbresa rezultoi më pak e votuara në vendin e pestë dhe Artani në vendin e katërt.
Ndërkohë, tutje vazhdojnë garën për çmimin e madh prej 200 mijë eurosh: Xhuli, Stresi dhe Vedati.
Vedati takon vajzat pas një kohe të gjatë izolimi në BBVK
Finalisti i spektaklit Big Brother VIP Kosova, Vedat Bajrami, ka përjetuar një befasi shumë të këndshme në finalen e Big Brother VIP Kosova.
Ai vizitoi për herë të parë pas muajsh izolimi dy vajzat e tij të vogla, gjersa më pas u drejtua për në Klan Arena kur e priste një surprizë tjetër.
Aktori i humorit shijoi një interpretim nga këngëtari Sabri Fejzullahu, i cili është një prej miqve të tij më të mirë.
Stresi shpërthen në lot, takon nënën dhe merr dhuratë realizimin e një dokumentari për jetën e tij
Ndonëse u shokua dhe emocionua pa masë nga duartrokitjet dhe atmosfera që i dhanë publiku pasi e performoi për herë të parë këngën e tij më të re, “Kosovë, Shqipëri”, reperi Stresi u befasua edhe nga nëna e tij.
Nëna e reperit u ngjit në skenën e cila u përgatit nga Klan Arena për ndër te natës finale të Big Brother VIP Kosova.
Stresi kur e pa nënën e tij qau dhe e përqafoi atë, në një moment asaj i puthi edhe këmbët.
Noizy përshëndet Stresin me video-mesazh në finale
Për më shumë se një dekadë, reperët e famshëm shqiptarë Stresi dhe Noizy kanë pasur një rivalitet të theksuar me njëri-tjetrin.
Ky rivalitet mori fund vitin e kaluar, teksa ndonëse nuk shihen shpesh bashkë – një befasi e madhe ndodhi mbrëmjen e së premtes në Big Brother VIP Kosova.
Ai mori si dhuratë një video-mesazh nga Noizy, i cili shprehte hapur mbështetjen e tij për të, që ai të shpallej fitues i kësaj gare.
Video-mesazh dhe takim me vëllain – befasitë e rezervuara për Xhulin në finalen e BBVK
Juliana Nura ka qenë pa dyshim kryefjala e këtij edicioni të Big Brother VIP Kosova.
Si një nga finalistet, asaj iu bë një befasi e veçantë në natën finale.
Fillimisht asaj iu dërgua një video-mesazh nga familja e saj në Finlandë, gjersa më pas e njëjta pati shansin që të vizitojë vëllain e saj, Valoni – i cili kishte ardhur enkas për t’i bërë asaj një befasi.
Si dhuratë, ajo fitoi një kontratë një vjeçare me kompaninë e miellit “M&Sillosi”, për t’u bërë imazh i tyre.
Mbresa surprizohet nga e ëma, motrat dhe nipi – i bashkohet Klan Kosovës si prezantuese
Këngëtarja Mbresa Hajrullahu ka marrë një befasi shumë të këndshme në finalen e madhe të Big Brother VIP Kosova.
Ajo ka dhënë premierë këngën e saj më të re me titull “Për ty”, të cilën e ka kompozuar dhe realizuar brenda shtëpisë.
Ndërsa si befasi, asaj i erdhën për vizitë e ëma e saj, motrat dhe nipi i vogël.
Mbresës iu bë dhuratë nga televizioni Klan Kosova një dhuratë, për të qenë prezantuese e një prej programeve televizive.
Artani befasohet nga nëna e tij
Finalisti i Big Brother VIP Kosova, është befasuar me një vizitë speciale nga e ëma e tij, Shukrije Thaqi.
Atij gjithashtu i është bërë një dhuratë e veçantë një udhëtim luksoz në Bodrum të Turqisë.
Ish-banorët dhurojnë spektakël me interpretimin e “Bigu jemi ne”
Mbrëmja finale e Big Brother VIP Kosova nisi me interpretimin spektakolar të ish-banorëve, të cilët kanë kënduar për publikun himnin e BBVK, “Bigu jemi ne”.
Shota Baraliu, Gjon Karrica, Getinjo, Vivien, Andi, Gresa Hoti, MC Beka, Edoni dhe Arta Selimi dhuruan një spektakël të vërtetë para shikuesve.
Pesë finalistët me dukje elegante në finalen e madhe të Big Brother VIP Kosova
Pesë finalistët e Big Brother VIP Kosova duken mjaft të emocionuar në mbrëmjen finale.
Dukja e tyre elegante ka marrë vëmendjen e shikuesve, pasi secili duken mjaft tërheqës dhe i kanë kushtuar kujdes të veçantë pamjes në këtë mbrëmje të rëndësishme për ta.
Ish-banorët e BBVK shkëlqejnë me dukjen e tyre në finale
Shumë prej ish-banorëve të Big Brother VIP Kosova, janë prezentë në studio për finalen e madhe të spektaklit.
Ata kanë pozuar së bashku në prapaskenë, ku secili prej tyre është dukur më elegantë se tjetri.
Në veçanti bashkë janë parë dy çiftet e krijuara brenda shtëpisë, Andi dhe Gresa, dhe Vivien dhe Getinjo.
Nis finalja e madhe e Big Brother VIP Kosova
Ka nisur tashmë mbrëmja e madhe e Big Brother VIP Kosova.
Në një mbrëmje spektakolare, po përmbyllet aventura 100 ditore e banorëve në shtëpinë më të famshme në Kosovë.
Finalja nis me ish-banorët duke kënduar “Bigu jemi ne”
Finalja e madhe e Big Brother VIP Kosova fillon sonte nga ora 21:00 në Klan Kosova dhe do të nisë me këngën “Bigu jemi ne”, që do të këndohet në studio nga ish-banorët e këtij edicioni.
Për pesë finalistët e këtij edicioni, Artan Thaçi, Juliana Nura, Mbresa Hajrullahu, Stresi dhe Vedat Bajrami, votimet mund të bëhen nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Austria dhe Maqedonia e Veriut.
Pesë finalistët bëhen gati për mbrëmjen e madhe
Pesë finalistët e programit: Vedati, Xhuli, Mbresa, Stresi dhe Artani janë duke u bërë tashmë gati për finalen e madhe të spektaklit Big Brother VIP Kosova.
Në shtëpinë e BBVK është futur një staf i tërë i makijazhit, që janë kujdesur për pamjen e banorëve në këtë mbrëmje të madhe.
Sondazhi i Telegrafit: Mbi 40 mijë vota nxjerrin fitues Vedatin
Telegrafi gjatë javës së fundit të programit Big Brother VIP Kosova, ka realizuar një sondazh ku ka pyetur shikuesit për banorin finalist që ata mendojnë se do ta fitojë këtë spektakël.
Mbi 40 mijë votues kanë dhënë opinionin e tyre në votimin online, i cili ka nxjerr fitues aktorin Vedat Bajrami me mbi 40 për qind të votave.
I dyti rezulton aktori Artan Thaqi me 20 për qind, pasuar nga Juliana Nura dhe Stresi me nga 17 për qind secili, dhe këngëtarja Mbresa që rezulton më pak e votuara me vetëm pesër për qind të votave.
Gjithsesi, fituesi i madh i këtij spektaklit zgjidhet vetëm nga votat e dërguara me SMS.
Përfundojnë 100 ditë qëndrimi në shtëpi
Sot (e premte) në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova është shënuar dita e 100-të e qëndrimit të banorëve në shtëpi.
Tre prej banorëve finalistë (Artani, Xhuli dhe Stresi), janë ata të cilët janë futur që nga fillimi i spektaklit më 4 dhjetor 2022, duke qëndruar kështu për plot 100 ditë brenda shtëpisë më të famshme në Kosovë.
Ndërkohë, dy finalistët e tjerë, këngëtarja Mbresa dhe humoristi Vedat Bajrami janë futur pak më vonë se të tjerët në shtëpinë e BBVK.
♦Ky sondazh është i realizuar nga Telegrafi.com për të parë parashikimet e lexuesve dhe nuk lidhet me votimin zyrtar të spektaklit, nga i cili zgjidhet fituesi.