“Liria ka emër të gjinisë femërore”!

(Insert nga ditari i një gruaje të përdhunuar)
Disa njerëz me ndihmuan të ngritëm e të mbahem në këmbë. Turma më mori me vete. Më dukej po më mbanin në ajër pa prekur tokën. Po fluturoja me ata njerëz. Të gjithë i kishte përshkuar gëzimi në shpirt! Gjithë ajo masë njerëzish dukej e dehur nga gëzimi i pa përshkruar. Ata po festonin lirinë e pritur me shekuj.
Një plakë mu afrua për të më uruar! Pamja e saj më preku në shpirt. U rrëqetha nga ato fjalë, në vend që t’ ia ktheja përshëndetjen.
- Nuk më ka mbetur askush i gjallë, tha ajo!
Mëzi rrinte në këmbë.
- Le të gëzojnë të gjallët, çika jem!
Fjalët i humbën në lotët që akoma nuk iu kishin tharë nga vuajtjet.
Më dukej vetja që po zvogëlohem.
Më kaploi malli për të parë fytyrën e Arbanit.
Masa e njerëzve po më kthente vetëdijen pak nga pak!
Përnjëherë, thash vet me veti; tash Arbani ndoshta nuk është gjallë?!
Ai mund të jetë vrarë diku e të ketë rënë dëshmor. Nuk e kisha parë nga ajo ditë që u ndamë. Këmbët më lëshuan dhe rashë në tokë.
Mu kujtua djali që ma vranë para syve.
Mu kujtua vajza e vogël që kishte mbetur fjetur në dhomë dhe që nuk e pashë më kurrë.
Më dukej sikur Elira më dilte e gjallë përpara!
Përdhunimi me shtriu për toke serish, edhe pse tash isha bashkuar me masën e pafund të njerëzve që po festonin çlirimin.
***
Fillova të ndjehesha e turpëruar të më shohin njerëzit!
Çnjerëzimi më kishte tjetërsuar edhe shpirtin. Nuk po kthehesha dot në mesin e njerëzve normal. Aty serish më kishte rënë të fikët!
Shumë njerëz më kishin rrethuar për ndihmë. Dukej sikur të gjithë kishin kuptuar tmerrin që kisha përjetuar për shumë kohë. Më ngushëllonin të gjithë me dëshirë që t’i kthehem jetës.
Edhe varret kanë festë, thoshte dikush!
Mendoja me vete, si mund të kenë festë varret?
Populli im akoma nuk i kishte numëruar të vrarët e të zhdukurit, të masakruarit e përdhunuarit, por po festonte lirinë!
Vetëdija akoma qëndronte shumë larg meje. Kushdo që më shihte, më shikonte më dhembje.
Më dukej se dikush-dikush kishte filluar të shikonte më tepër kah barku im! Menjëherë me shkoi mendja, se ndoshta po më shohin atë nishanin e vizatuar me thikë në barkun tim, edhe pse ajo shenjë nuk mund të dukej mbi këmishë?!
Prekja e barkut me dorë më ishte bërë shprehi! Ishte barku im, barku i një gruaje shtatzënë, të çnjerëzuar për shumë kohë.
Pak më vonë kam kuptuar pse të tjerët po më shikojnë barkun?!
Atëherë ligështimi e bëri të vetën plotësisht.
Më nuk më mbeti as forcë, as guxim të flas edhe një fjalë.
Në barkun tim ishte rritur fryti i atij kukudhit që më kishte përdhunuar barbarisht duke më mbajtur peng për disa muaj.
Akoma, askush nuk më kishte pyet për barkun!
E kisha jo vetëm shenjën nga thika e tij në trup, por edhe fëmijën e tij në bark. Më nuk mendoja për asgjë, por vetëm si të lirohem prej tij. Do ta vras, sapo ta nxjerr nga barku im, i thosha vetes. Do ta vras me duart e mia!
Çnjerëzimi që më kishin bërë barbarët akoma nuk kishte përfunduar.
Tashmë isha bindur se vetëm unë kisha mbetur gjallë nga familja ime, por me dhunuesin që kishte marrë jetë e po rritej brenda meje.
Derisa të tjerët po festonin, unë isha fiksuar si të lirohem nga ai krimineli tjetër që po rritej në barkun tim.
As më shkoi mendja t’i them dikujt diçka apo të kërkoja ndonjë ndihmë për këtë.
Tek unë ishte ngulitur vendosmëria për t’u liruar sa më parë nga krijesa që nuk më linte të qetë askund. Më nuk mendoja asgjë tjetër, pos si ta vrisja një krijesë njerëzore që tashmë po merrte frymë brenda trupit tim.
Doja ta zhduk me çdo kusht atë krijesë, pa zgjedhur mjete.
Vetëdija më ishte kthyer përmbysë!
Më nuk isha ajo Liria, më e bukura ndër shoqe, por një tjetër femër që dëshironte të fshihej me çdo kusht, për të mos e parë askush!
Isha shndërruar në një qenie e cila dëshiron ta vras me çdo kusht pjellën e vet.
Me çfarë tmerri në shpirt po jetoja, nuk dinte njeri!
Një femër në ketë gjendje nuk e paramendon dot, se mund t’i rrëfehet dikujt çka ka përjetuar dhe çka po përjeton akoma, edhe tash kur liria po festohej kudo.
Mendja me shkonte se ajo krijesë ka edhe gjakun tim.
Fëmija që tashmë ishte para lindjes nga trupi im, gati e kishte kohën.
Doja të ikja e të zhdukesha, që të mos më shohin sytë e botës.
Tash më dukej sikur të gjithë po flisnin për mua.
Më dukej sikur të gjithë bënin me gisht kah unë!
Paramendoja se edhe sikur të ishte dikush gjallë nga familja ime, më nuk do të më kuptonte.
Me mendje e shpirt kisha mbetur në ferr.
Kisha dëgjuar për çnjerëzimin!
Kurrë nuk kisha imagjinuar vetën të çnjerëzuar!
Tash, vet unë isha ajo që duhej të lindja një krijesë të gjallë që ishte fryt i çnjerëzimit barbar.
Atë natë mbeta në qytet deri vonë. Nuk kisha ide se ku mund të shkoja e të flija pak. Mendoja vetëm për lindjen e krijesës që kishte marr shpirt në barkun tim, që ishte ushqyer me gjakun tim, nga zemra ime e vrarë me qindra herë.
Me siguri dikush nga njerëzit që më kishin parë, kishte menduar edhe për gjendjen time të pashpresë.
Ku ta di si, por dikush kishte njoftuar një gazetare zvicerane për mua!
Ajo erdhi menjëherë!
Kur mu afrua, e dallova nga simboli që mbante varë në qafë.
- Kujdes! - foli ajo! Kjo qenka edhe shtatzënë!- tha më zë, sapo më ka parë në atë gjendje!.
Pak kush që më kishte parë mund të ketë imagjinuar se në çfarë gjendjen isha!
Serish, menjëherë kam rënë në tokë pa vetëdije!
Nuk e dija edhe sa ditë do të lindja foshnjën?!
E ballafaquar me tmerrin brenda trupit tim, nuk kisha masë për kohën.
Pasi jam këndellur pak, jam tërhequr nga masa e njerëzve duke menduar që të kthehem atje në mal të Shpresa. As që më shkonte mendja, se a kam forcë për t’u kthyer e gjallë atje në ahur, larg syve të botës.
Kush do të më kuptojë mua nesër?
Nuk dija akoma asgjë për Arbanin? As mund e merrja me mend si do të reagonte ai i gjallë, po të më shihte në këtë gjendje. Ky mendim me tmerronte fare.
Me ditë të tëra kisha bërë plan për t’u liruar nga barra e krimit që kishte marr jetë në trupin tim.
Në atë gjendje, vetëm zotit iu kam lutur të më ndihmonte!
U përpoqa të dal nga masa me pak mashtrim, por ajo gazetarja e huaj nuk
ndahej nga unë. Donte të më shoqëronte kudo.
Pas shumë arsyetimesh, u ndava nga të gjithë sa ishin. Menjëherë kam mësyrë drejt kodrës nga e cila kisha zbritur në qytet. Dielli akoma kishte kohë të perëndonte. Kam ecur me orë deri të fusha ku kisha parë shumë kufoma pa varrosura. Kam kaluar mes tyre për të vazhduar drejt malit, për të arritur të plaka. Aty më kishte mbetur e vetmja shpresë për të mos më parë dikush se në çfarë gjendje shpirtërore po jetoja! Gjatë udhëtimit, kam pushuar disa herë. Kisha frikë se mos ka vdekur edhe ajo plaka që më kishte kthyer në jetë. Vetës i thosha, se edhe po të ketë vdekur plaka, do të gjej forcë të lirohem nga barra, qoftë edhe në vetmi. Edhe po të vdes aty larg nga sytë e njerëzve, më mirë që nuk më sheh askush. Sapo kam shkelur pragun, nënëlokja Shpresë po kthehej me lopën e saj nga kullosa.
Më përqafoi me lot në sy.
- Më gëzove çika ime! Tash me trego çka ke parë atje ku ishe!
E shikova me dashuri të madhe, por e ngarkuar me peshën e mendimit si të lirohem nga barra e krimit që kishte marr jetë në trupin tim.
Në asnjë mënyrë, nuk doja t’i tregoja plakës për qëllimin tim vrastar!
Pa kaluar edhe tri ditë, linda fëmijën e atij barbarit që ma kishte vrarë djalin katërvjeçar para syve.
Krijesa e rritur në barkun tim, për mua ishte fryt i atij barbarit dhe doja ta mbysja me çdo kusht.
Mendoja se vet ai krimineli është i gjallë në barkun tim. Doja së paku të hakmerrem duke u liruar prej tij.
Gjatë lindjes me ndihmoi Shpresa.
Me gjithë ato dhembje dhe në atë gjendje pas lindjes, në mendjen time kisha vetëm vrasjen e asaj foshnje.
Pas dy ditësh, pa pritur më shumë, sapo plaka lëshoi lopën në kullosë, u ngrita në këmbë!
E mbushur helm vendosa ta vras atë krijesë, që nuk i kishte tri ditë që e kisha lind nga barku im.
E mbështolla vetëm me një pelenë të bardhë.
Aq kisha!
E mora në dorë dhe dola në mal.
Po kërkoja vend të lartë prej nga ta hedhë për të mos shpëtuar gjallë.
Krejt pak kohë eca deri të shkëmbi, përtej të cilit ishin vrarë shumë ushtarë të UÇK-së.
E hodha nga shkëmbi!
Nuk e përshkruaj dot se ç’po ngjante me mua!
Edhe vet u bëra vrasëse!
Sapo ia kisha marrë jetën një foshnje të porsalindur!
Kam zbritur nga shkëmbi dhe kam shkuar drejt atje ku kishte rënë foshnja dhe e kam mbështjell të vdekur me po atë pelenë e cila iu kishte hequr nga trupi gjatë hedhjes.
E kam mbuluar me shumë gurë të vegjël aty pranë shkëmbit.
Pastaj kam ikur si e çmendur nga frika se mos dikush më sheh rastësisht. Shpirtin tim ma kishin vrarë aq shumë herë sa nuk përmbahesha dot.
U ktheva në ahur të Shpresa.
Sapo më ka parë që u ktheva pa foshnje në dorë, ajo ka piskatë me zë plot tmerr.
- E di çka paske bërë, tha ajo! Kjo është luftë mori bijë!
Pastaj plaka heshti dhe nuk foli më!
Kush mund të lexonte mendimet e mia e të plakës në ato çaste? Me siguri askush!
Shpresës i thash se do të paraqitem në gjykatë për vrasje! Ajo as nuk më kuptoi çfarë po flisja.
Ia përsërita asaj dhe vetës së nuk mund të jetojë kështu me vuajtjen time.
Do të tregojë para gjithë botës çka kishin bërë me mua barbarët serbë.
Shpresa vetëm heshtte!
Lindja me la me shëndet të dërmuar edhe më tepër!
Nuk po e merrja dot vetën.
Shumë herë brenda ditës me binte të fiktë.
Vendosa të kthehem sa më shpejt në qytet.
Serish u takova me Verën.
Ajo, sapo më ka parë, menjëherë me ka dërguar në spital për rehabilitim dhe nuk është ndarë më nga unë, duke siguruar edhe kujdestar për mua.
Akoma isha larg shërimit! Ajo solli edhe psikiatër i cili me vizitonte e më këshillonte çdo ditë!
Psikiatri mbante edhe shënime!
Edhe mjekët tjerë, secili jepte kontributin e vet për shërimin tim.
Sa ditë që kaloja, më nuk mendoja tjetër, pos pse e vrava foshnjën që linda vet!
Hakmarrja ndaj atij kriminelit, nuk më çliroi aspak nga vuajtjet.
Vrasja e fëmijës që kisha lindur, u shndërrua në makth për mua.
Krahas shumë terapive për shërim, mjekët kishin analizuar shumë fjalë e sjellje të mia.
Ata sikur kishin lexuar mendjen dhe vendosmërinë time që të flas hapur para botës për vuajtjet që kisha përjetuar.
Mjekët e psikiatrisë kishin marr shumë shënime për gjendjen time shpirtërore. Shumë ishin përpjekur të kuptojnë çka unë doja të flisja por nuk i nxirrja dot fjalët. Ata kishin vendosur që të organizojnë edhe një “gjykim” për mua që kisha vrarë një fëmijë të porsalindur.
Erdhi edhe dita e “gjykimit” tim!
Ishte ajo “seancë gjyqësore” e improvizuar nga mjekët e klinikës së psikiatrisë, krejt me qëllim që duke rrëfyer për vuajtjet e mia, sado kudo të më çlirojnë nga kompleksi i krimit që kisha bërë duke vrarë fëmijën tim. Kishte qenë kjo ide e gjithë atyre mjekëve që më kishin parë në atë gjendje dhe kishin vendosur të provojnë të më japin mundësi të flas. Në atë gjendje shpirtërore që isha, vonë kam kuptuar se ç’po ngjante me mua?! Për të më kthyer në jetën normale as që bëhej fjalë edhe për shumë kohë.
Gazetat kishin shkruar për një grua të çmendur.
Ai që më kishte sjell në këtë gjendje nuk po gjykohej!
Ai barbari serb jetonte akoma i lirë, larg drejtësisë!
Kishin shkruar gazetat edhe për “gjykimin” që kishin organizuar mjekët për të ndihmuar rehabilitimin tim.
E kishin përmendur edhe emrin e gazetares zvicerane.
Kishin shkruar se unë isha e vendosur, për të mos fshehur asgjë.
Të pranishmit në atë “sallë gjyqi”, zor së mund të kenë imagjinuar se çfarë krimi mund të kisha bërë, duke vrarë foshnjën që kisha lindur.
Nga çasti që kam filluar të flas para atij “gjyqit”, gjithë fjalët e mia i kishin botuar në gazetë! Veronika ishte kujdesur që të gjente e të ruante çdo shënim të gazetave për të identifikuar fjalët që kisha thënë apo jo.
Dukej sikur të gjithë kishin shfaqur keqardhje për gjendjen time shpirtërore.
Gazetarja zvicerane e kishte kuptuar mirë këtë, por kishte heshtur.
Po mendoja, se a di ky “trup gjykues” që këtu të ne, kanuni akoma jeton e gjykon ulur këmbëkryq?!
Veç një zot e di sa kohë duhet jetuar njeriu për ta kuptuar e mësuar kanunin tonë?!
Ishin këto fare pak gjëra që dija nga kanuni ynë.
Kisha dëgjuar ndonjë fjali nga kanuni edhe për çnjerëzimin, dhe që kishte një nen të veçantë.
Nuk ia vlente të flisja unë për këtë. Qëllimi im ishte të lirohesha nga kthetrat e barbarit serb që akoma nuk më linte të qetë as në gjumë.
Doja të këndellesha nga ato trauma pa fund, por kot.
Kisha folur pastaj, aty para atij “gjyqi”.



















































