LAJMI I FUNDIT:

Limaj: Me ne nuk humb askush

Limaj: Me ne nuk humb askush

Kryetari i “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj, në takimin përmbyllës të koalicionit PDK – AAK- Nisma, ka theksuar se ata janë bashkuar këto ditë për të shpalosur një vizion, një mundësi dhe për të ofruar një rast.

Sipas tij, janë edhe dy ditë para vendimit final që u takon qytetarëve të Kosovës.


“Kosova ka krijuar traditë t’i nënshtrohet plotësisht vendimit të qytetarëve, sepse ajo është e vendosur për vlera evropiane”, ka thënë Limaj, duke shtuar se me “11 qershor qytetarët do të thonë fjalët e tyre për drejtimin e ri, vizionin tonë të përbashkët”.

“Problemet dhe vështirësitë mund t’i tejkalojmë edhe përmes vizionit tonë, dhe atë vizion mund ta implementojmë jo më veprime individuale, jo me egoizëm dhe jo me arrogancë. Por, koha ka ardhur që Kosova brenda vetes dhe përballë të tjerëve të veproj si ekip i përbashkët, në ndërtimin e vendit tonë, mirëqenies dhe forcimin e shtetit të lirë”, ka shtuar Limaj.

Ai ka thënë se “me ne nuk humb askush, ne nuk u bashkuam për t’i mundur njerëzit tonë, por u bashkuam për t’ia dhënë një mundësi vendit tonë”.

“Ne u bashkuam për të pasur një ekip të fuqishëm, përballë atyre që një herë i kemi mundur dhe do të jemi të gatshëm përsëri të mbrojmë Kosovën. Ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi edhe me Vuçiqin që e mundëm në të kaluarën”, ka shtuar Limaj. /Telegrafi/.